Vonesat e zbatimit të pakos së re fiskale po dëmtojnë ambientin biznesor

19:16 | 16 Gusht 2015
Arbresh.info

Vonesat në fillimin e zbatimit të pakos së re fiskale vetëm sa e kanë dëmtuar ambientin biznesor në Kosovë, vlerësojnë njohës të këtyre problemeve. Sipas tyre, pakoja e re fiskale me ndryshime fillimisht ishte paraparë të hyjë në fuqi me 1 korrik, por u shty edhe për dy muaj, pra pritet të filloi më 1 shtator të këtij viti.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që mos të ketë më prolongim të funksionalizimit të pakos së re fiskale, por të fillohet sa më shpejt që është e mundur, ngase vonesa të tilla nuk kanë efekte pozitive për ekonominë e Kosovës.

Në ndryshimet e pakos së re fiskale përfshihen: Ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, Ligjin për tatimin në të ardhura personale, si dhe Ligji për tatimin në të ardhura të korporatave. Ligji i ri për tatimin mbi vlerën e shtuar, përcakton dy norma të TVSH-së, si: Norma standarde e TVSH-së 18%, si dhe norma e reduktuar e TVSH-së 8%.

Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të gjithë tatimpaguesit të cilët janë deklarues të TVSH-së, nga data 1 shtator 2015 duhet të aplikojnë normën 8% dhe 18%, varësisht nga furnizimi i mallit apo shërbimit. Gjithashtu, deklaruesit e TVSH-së, obligohen që para datës 1 shtator 2015, të bëjnë rregullimet e nevojshme në programet e tyre, si dhe të vendosin normat e reja të TVSH-së në pajisjet elektronike fiskale.

atk

Ekonomia informale vazhdon të konsiderohet pengesa kryesore tek bizneset në Kosovë, pastaj konkurrenca e pandershme, problemi i furnizimit me energji elektrike, ngarkesat fiskale, mungesa e investimeve në infrastrukturë për nevojat e biznesit, ngarkesat tjera administrative dhe moszbatimi i ligjeve.

Madje bizneset kanë ardhur në gjendje të rëndë sa që po hulumtojnë mundësitë dhe lehtësirat që u ofrojnë vendet fqinje për të bartur atje makinerinë prodhuese.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për KosovaLive se është koha që nuk duhet më të ketë prolongim të funksionalizimit të ligjeve, por Kosovës i duhen ligje të cilat janë në funksion të zhvillimit e jo në aspekt numerik dhe se në këtë drejtim prolongimi i fillimit të funksionimit të pakos fiskale është diçka që ë ka dëmtuar të bërit biznes në Kosovë.

safet gerxhaliu

Ai ka theksuar se nuk ka arsye për prolongim kohor, por sa më shpejt që është e mundur të funksionalizohet pakoja e re fiskale efektet do të jenë të mirëseardhura për Kosovën.

“Dua të besoj që ky prolongim i deritashëm i pakos së re fiskale ta ketë efektivitetin e vet, por në qoftë që nga shtatori na mbeten edhe 4 muaj të këtij viti, atëherë ekonomikisht është e pamundur të priten efekte të dëshiruara pozitive, siç kanë qenë e paraparë rritja ekonomike prej 3.5% – 4%.

Sa më shpejt që është e mundur që të jetë funksionale, do të jetë e mirëseardhur dhe një funksionalizim i një pakoje të tillë, do të ketë arsyeshmëri ekonomike, do të ketë mbështetje dhe motivim psikologjik dhe mbi të gjitha do të ketë inspirim dhe inkurajim për rritjen e atraktivitetit të Kosovës për investitorët e huaj. Shpresojmë që viti tjetër do të jetë ai që do ta nxjerr Kosovën nga një vakum i zi ekonomik që e ka përcjell viteve të fundit”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai thotë se nuk ka arsye për vonesa më, por ka shtuar se ka qenë momenti më i duhur që krahas kalimit në Parlament të ndryshimeve kushtetuese për gjykatën speciale të fillohet së zbatuari edhe një pako e cila është me rëndësi substanciale për zhvillimin ekonomik, social dhe integrues të Kosovës.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ditë më parë ka dhënë qëndrimin e saj mbi pakon e re fiskale, duke pasur parasysh që dispozitat e reja të këtyre ligjeve tatimore janë paraparë të hyjnë në fuqi më 1 shtator 2015, i ka bërë thirrje Qeverisë së që të finalizojë të gjitha elementet e pakos fiskale, ashtu që krahas ligjeve të reja të hyjnë në fuqi edhe masat e reja fiskale.

Në mënyrë që pakoja e re fiskale të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të reja, fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, Oda Amerikane beson që ditët në vijim duhet të shfrytëzohen për kompletimin e kornizës lehtësuese ligjore.

 

090513_1333_OEAKLigjipr1.jpg

Në këtë drejtim Oda Amerikane kërkon nga Qeveria e vendit që në përputhje me Ligjin për mallrat e liruara nga detyrimet doganore të bëjë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga  detyrimet doganore, më konkretisht të lëndëve të para që nuk prodhohen në vend e të cilat gjejnë përdorim në proceset e prodhimit dhe përpunimit.

“Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane kërkon që në përputhje me ligjet e reja tatimore, Ministria e Financave të hartojë sa më shpejtë të jetë e mundur aktet e reja nënligjore që do të mundësonin hyrjen në fuqi të pushimeve tatimore, si instrument i rëndësishëm për nxitjen e investimeve të reja – të huaja apo të brendshme.

Ofrimi i lehtësirave gjithëpërfshirëse fiskale, përfshirë këtu edhe aplikimin e pushimeve tatimore do t’i mundësonte vendit që të përmirësojë përparësitë e tij konkurruese në nivel të shteteve të tjera të rajonit dhe të rrisë atraktivitetin e tij si një destinacion i rëndësishëm për investitorët e huaj”, theksojnë zyrtarët e Odës Amerikane.

Nga ana e institucioneve është përfolur shumë se do të ketë lehtësira për sektorin privat, por politikat qeveritare të aplikuara ndaj bizneseve në përgjithësi kanë qenë të pafavorshme. Madje, në vitin 2012 shumë është përfolur për pakon e re fiskale.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit qysh atëherë patën dhënë vërejtjet e tyre për politikat e reja fiskale të hartuara nga Qeveria, duke e cilësuar pakon si të “zbehtë” për sa i përket ndikimit në operimin e bizneseve dhe kritereve për rritjen ekonomike të paralajmëruar nga Qeveria.

Në programin qeverisës të Republikës së Kosovës 2015-2018, ceken parimet dhe shtyllat e programit qeverisës, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe mirëqenien.

Në këtë program, ndër të tjera, përfshihen: politikat fiskale të favorshme; përshkallëzimi i TVSH-së; ulja e pragut të TVSH-së; pushimet nga taksat; integrimi i ATK-së, Doganës dhe mbledhja në brendi; lirimet doganore; politikat tregtare konkurruese dhe përmirësimi i mjedisit biznesor; funksionalizimi i zonave të tregtisë së lirë; luftimi i ekonomisë joformale; eliminimi i barrierave ligjore dhe zvogëlimi i burokracisë; përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; promovimi i investimeve; krijimi i partneriteteve strategjike në fushën e investimeve; lehtësimi dhe promovimi i investimeve nga diaspora; avancimi i partneritetit publiko privat, bujqësia, etj.

Edhe përkundër përvojave të hidhura në këtë fushë nga qeveritë e kaluara, bizneset shpresojnë se sado pak, pakoja e re fiskale do ta ketë efektin e saj në përmirësim të kushteve të biznesit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme