Johannes Hahn sot arrin në Shkup, fillon procesin e skriningut

08:32 | 17 Korrik 2018
Arbresh.info

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, sot do të vizitojë Maqedoninë dhe do të nisë procesin e skriningut në vend për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Sipas agjendës, Hahn së pari do të arrijë në qeveri, ku do të marrë pjesë në seancën e 79-të qeveritare, në të cilën pika e vetme e rendit të ditës është informacioni për konceptin dhe strukturën e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pas përfundimit të seancës, Hahn dhe Zaev do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp. Hahn më pas do të takohet me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi dhe kreun e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski.

Eurokomesari Hahn pritet që të mbajë fjalim para anëtarëve të Këshillit kombëtar për eurointegrime në Kuvendin e Maqedonisë.

Javën e kaluar Hahn njoftoi se do ta vizitojë Maqedoninë dhe Shqipërinë për fillimin e procesit të skriningut në këto dy vende. Pas përfundimit të takimeve në Shkup, Hahn do të udhëtojë për në Tiranë.

Përndryshe, skriningu është proces me të cilin kontrollohet niveli i gatishmërisë së vendit për të udhëhequr me negociatat me BE-në.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme