Google ADS

Avokati i Popullit publikon rekomandimet për ndihmën sociale në Kosovë

16:23 | 16 Korrik 2018
Arbresh.info

Avokati i Popullit i ka përcjellë (13/07/2018) Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin me rekomandime përkitazi mbi ndryshimin dhe plotësimin e nenit 4 të Ligjit nr. 04/l-096 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/15 për skemën e ndihmës sociale në Kosovë (në tekstin e mëtejmë: neni 4 i Ligjit).

Qëllimi i këtij raporti është t’i rekomandojë Kuvendit të Republikës së Kosovës ndryshimin dhe plotësimin e nenit 4, të Ligjit i cili kushtëzon ndarjen e ndihmës sociale familjeve që kanë fëmijë nën moshën pesë (5) vjeçare, transmeton ‘Indeksonline’.

Raporti gjithashtu arsyeton domosdoshmërinë e ndryshimit të nenit 4 të Ligjit në raport me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me fokus të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, pasi me ketë kufizim po rëndohet edhe më shumë jeta dhe mirëqenia e qytetarëve të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike.

Avokati i Popullit vëren se zbatimi i nenit 4 të ligjit ka shkaktuar që shumë familje në gjendje të rëndë materiale, të mbesin edhe pa ndihmën sociale, të cilën e gëzonin deri në momentin kur fëmija mbush pesë (5) vjeç. Pavarësisht faktit që janë bërë ndryshime të nenit 4 të Ligjit nr. 2003/15, kjo në fakt nuk e ka përmirësuar gjendjen e familjeve të varfëra me vet faktin e kufizimit të moshës së fëmijëve.

Për me tepër kushtet e përcaktuara për ndihmë sociale, me dispozitat ligjore në fuqi kanë ndikuar në keqësimin e gjendjes ekonomike të shumë familje, duke shkaktuar edhe pengesa dhe vështirësi në mirërritjen e fëmijëve dhe mirëqenien e familjeve në përgjithësi, veçmas qytetarët nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Avokati i Popullit vëren se neni 4 i Ligjit, përtej çdo dyshimi shkel interesin më të mirë të fëmijës, madje mungesa e ndihmës sociale për fëmijë dhe familje në nevojë, kushtëzon dhe ndikon në shëndetin fizik dhe mental të fëmijës, si dhe në edukimin e zhvillimin e mëtutjeshëm të tij.

Avokati i Popullit në pajtim me gjetjet e theksuara ne raport konstaton se neni 4 i Ligjit, është në kundërshtim më Kushtetutën Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare, veçmas Konventën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës e cila është drejtpërdrejtë e zbatueshme në Republikën e Kosovës.

Në bazë të analizës, vlerësimeve dhe konstatimeve, Avokati i Popullit i rekomandon  Kuvendit të Republikës së Kosovës Ndryshimin e nenit 4, paragrafi 5 të Ligjit nr. 04/l-096 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë, në mënyrë që kufizimi i moshës pesë (5) vjeçare të fëmijës, të ngritët në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, në pajtim me nocionin e termit “fëmijë” dhe në qëllim të përmbushjes së obligimeve Kushtetuese.

Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, i është përcjellë sot Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i njëjti është publikuar në ueb faqe të Intitucionit të Avokatit të Popullit, në:http://www.ombudspersonkosovo.org./Indeksonline/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme