Google ADS

Deda: Jemi të zhgënjyer me Mogherinin, dialogu ka sukses nëse përfshihet SHBA-ja

17:13 | 14 Korrik 2018
Arbresh.info

Qasja e zyrës së Federica Mogherinit në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte e dëmshme, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti Ilir Deda nga subjekti politik Alternativa.

Radio Evropa e Lirë: Në spektrin politik në Kosovë është duke u shqyrtuar mundësia e krijimit të një ekipi negociator i cili do të përfaqësonte Kosovën në fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë. Bazuar në qëndrimet politike, sa është e mundur të formohet një ekip i tillë?

Ilir Deda: Edhe Alternativa, sikurse edhe partitë tjera është në komunikim intensiv me përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë. I gjithë spektri politik po përballet me një situtatë të përplasjes së dy skajshmërive. E para është një vetëdije, të cilën ne ne Alternativë e kemi, por është edhe te partitë tjera, që konsensusi është i domosdoshëm për fazën finale të dialogut me Serbinë. Ndërkaq, e dyta ka të bëjë me mosbesimin e thellë që ekziston ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Që nga fillimi pozicioni ynë politik ka qenë që takimet të jenë intensive dhe mund të shpreh keqardhje që nuk ka pasur intensifikim të takimeve të partive politike. Qe dy muaj e gjysmë është tentuar dhe janë mbajtur disa tryeza në Kuvend, disa nga shoqëria civile, por nuk kanë qenë serioze mjaft sepse pozicioni ynë është që ne të jemi të mbyllur me një tryezë, derisa të shohim me të vërtetë se a do të merremi vesh apo jo dhe jo të shkojmë në tryeza ku secili nga ne e themi pozicionin tonë politik dhe pastaj konstatohet se nuk ka mundësi për dakordim. Nëse të gjitha partitë duan që të dakordohen për një ekip, një delegacion të unitetit, atëherë ky dakordim mund të arrihet.

Radio Evropa e Lirë: Vazhdimisht shtrohet edhe çështja tjetër; nëse institucionet e Kosovës i kanë përgjegjësitë e tyre, atëherë pse nevojitet një gjithëpërfshirje. Bëhet fjalë për një konsensus, kushtimisht thënë të madh, që duhet ta bëjë tash Kosova në fazën finale?

Ilir Deda: Po gjithëpërfshirja në historinë e re të Kosovës ka qenë pozitive gjithmonë. Sa herë që kemi qenë të bashkuar ne kemi pasur sukses, ndërkaq kur kemi qenë të ndarë, sikurse në procesin e Brukselit, atëherë nuk kemi qenë të suksesshëm. Për Alternativën është mësim procesi i Brukselit, domethënë ndarja e cila ka ekzistuar dhe kualiteti i dobët që janë arritur, disa prej të cilave ishin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Tash, ne jemi të vetëdijshëm dhe të gjitha partitë politike e dinë pak a shumë se çka pritet prej Kosovës, një lloj kornize e cila është komunikuar. Por, ne mendojmë që vetëm uniteti politik në Kosovë në këtë proces, mundëson suksesin apo marrëveshjen e suksesshme për Kosovën. Neve na duhet një marrëveshje e mirë e cila e përfundon këtë proces me Serbinë njëherë e përgjithmonë. Nuk na duhet marrëveshje gjysmake e cila do të zgjaste 10 – 15 vjet dhe nuk na duhet rezultat një marrëveshje që për Kosovën do të ishte një ‘status quo’ e re dhe këtu dua të them ku Kosova nuk do të ishte shtet anëtar i barabartë i Kombeve të Bashkuara, me anë të cilës do t’i hapeshin rrugët për anëtarësim në NATO dhe në BE.

Për Kosovën nuk mund të jetë ky proces normalizim pa OKB, por normalizim me OKB. Normalisht që pozicioni i të gjitha partive në Kuvend është që normalizim do të thotë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje të paqes mes dy vendeve, e cila do të ndikonte edhe në pajtimin mes dy popujve sepse unë mendoj që marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve varen nga marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe jo nga marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Po sa jeni optimist se mund të arrihet një marrëveshje e tillë?

Ilir Deda: Personalisht jam skeptik në seriozitetin e Serbisë që ta mbërrijë këtë normalizim. Sa është serioze udhëheqësia serbe, kur harxhon qindra miliona euro për anulimin e njohjeve të Kosovës, na lufton në arenën ndërkombëtare, përpiqet të demonizojë Kosovën, nuk lejon njerëz të artit e kulturës të udhëtojnë në Beograd. Domethënë një retorikë prej një pjese të Qeverisë së Serbisë, e cila është e njëjta si ajo e viteve të ’90-ta ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ne pra duhet të pyesim zonjën Mogherini dhe udhëheqësinë serbe se a jeni ju serioz në këtë proces dhe nëse po, atëherë duhet ta ndryshoni rrënjësisht qasjen që e keni ndaj këtij procesi.

Po ashtu, nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme nëse ne vazhdojmë të jemi në defanzivë duke u mbrojtur gjatë gjithë kohës. Për spektrin politik në Kosovë është me rëndësi që nuk duhet të preket integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Pra, nuk mund të ketë ndarje, nuk mund të ketë shkëmbim të territoreve sepse ato janë ide të shekullit XIX dhe ne nuk duam të jetojmë në parime të tilla. Dhe, po ashtu, nuk mund të rrezikohet funksionaliteti i brendshëm i Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta bartë këtë proces deri në fund Bashkimi Evropian pa përfshirjen më aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Ilir Deda: Faktikisht është zyra e zonjës Mogherini e cila në disa raste të takimeve jotranspartente midis dy presidentëve, ka luajtur rol të dëmshëm dhe personalisht i Përfaqësueses së BE-së. Ne kemi pritur që ajo zyrë (e Mogherinit) të ketë parime apovija të panegociueshme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por kjo zyrë nuk ka parime të panegociueshme. Këtu flas për integritetin territorial të Kosovës. Për këtë arsye ka diskutime për përfshirjen e vendeve tjera të BE-së në dialog, në radhë të parë të Gjermanisë sepse ne nuk mund të hyjmë në një proces pa parime të panegociueshme të cilat janë vijat e kuqe. Po ashtu, duhet t’i dimë parimet udhëheqëse në këtë proces.

Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çfarëdo forme që kyçen, nuk mund të ketë sukses ky proces. Domethënë sa herë që SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë në një linjë apo kanë pasur një qasje unike në Ballkan, kanë pasur edhe sukses. Kur nuk ka pasur unitet trans-atlantik, atëherë nuk ka pasur sukses dhe unë mund ta shpreh, si Alternativë, ne jemi të zhgënjyer me rolin e zonjës Mogherini, sidomos në këta 12 muajt e fundit karshi këtij procesi të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë arsye ne nuk mund ta shohim më këtë dialog si një proces ku shkojnë tre njerëz, takohen në mënyrë jotransparente, bisedojnë gjëra që nuk mund të bisedohen në tavolinë dhe të na shitet më pastaj ajo si një lloj suksesi. Për këtë arsye Kosovës i duhet unitet.

Uniteti politik për dialog do të thotë se kushdo që është udhëheqës i këtij procesi nuk mund të shkojë të flasë çfarë të dojë atje. Uniteti edhe e kornizon kryesuesin e delegacionit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Ky kryesues aktualisht është presidenti Hashim Thaçi…

Ilir Deda: Jo nuk është kryesues, është i vetëemëruar sepse kryesuesin dhe delegacionin i emëron Kuvendi i Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A ka gjasa atëherë që ky proces të ridefinohet në Kuvendin e Kosovës, qoftë duke i dhënë mandatin presidentit të Kosovës apo duke e emëruar një kryesues tjetër që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë fazë të dialogut?

Ilir Deda: Kjo tash duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Ne si Alternativë insistojmë që të shterren të gjitha mundësitë, që të shihet a ka me të vërtetë mundësi për marrëveshje apo jo, sepse do të ishte e turpshme nëse tash nuk kemi dakordim, e pas tre muajve të kemi dakordim. Domethënë ose mbërrijmë marrëveshje në fazat e hershme të procesit, sepse në gjysmën e këtij procesi cila do të ishte vlera e arritjes së këtij konsensusi të brendshëm.

Është thënë se ky do të jetë një proces i rëndë e unë do të apeloja te përfaqësuesit e Kosovës, bartësit e institucioneve që janë njëanshëm në këtë proces, të dalin në publik dhe të na informojnë se çka do të thotë e rëndë. Nëse pesha është e rëndë, do të thotë se këta kanë marrë një lloj obligimi pa na pyetur neve të tjerëve dhe pa dakordimin tonë. Le ta thonë, a do të diskutohet për pronat e Kosovës; a do të diskutohet për pasuritë natyrore; për vetqeverisje shtesë për popullatën serbe; çfarë është kjo vetqeverisje shtesë e tjerë. Ne nuk mund të marrim obligime shtesë sepse dikush njëanshëm e ka bërë këtë punë. Sidomos është skandaloze qasja e diskutimit të integritetit territorial. Është skandaloze që një përfaqësues i Republikës së Kosovës të ulet në tryezë me (Aleksandar) Vuçiqin dhe të flet për kufijtë e Kosovës. Ai nuk ka mandat që të flasë për kufijtë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë pse nuk ftohet presidenti Thaçi në Kuvend që t’i sqarojë këto çështje, këto dilema?

Ilir Deda: Ai nuk është as i mandatuar nga Kuvendi që të ftohet tash në raportim. Pikë së pari duhet të shohim a ka mundësi që partitë politike të përfaqësuara në Kuvend të arrijnë dakordim për dizajnimin institucional të procesit dhe bartësin, kryesuesin e delegacionit të Kosovës. Nëse mbërrihet ky dakordim, Alternativa e përkrah idenë që Kuvendi të ketë rol mbikëqyrës në këtë proces. Nëse kjo arrihet, atëherë e gjitha si pako duhet të aprovohet në Kuvend.

Tash ne nuk kemi shumë kohë, pasi që më 18 korrik është caktuar takimi i dytë mes dy presidentëve ku do të merren obligime shtesë të cilat ne pastaj do t’i kuptojmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Jemi ithtarë të shterrjes së mundësive para datës 18 korrik. Nëse nuk mbërrijmë dakordim, të dalim para popullit dhe të themi se nuk kemi arritur marrëveshje mes vete. Këtu unë gjithmonë e them se si është e mundur të merret vesh Kosova me Vuçiqin e të mos merren vesh partitë politike të përfaqësuara në Kuvend.

Mendoj se ka mundësi të merremi vesh, ka mundësi për krijimin e një delegacioni gjithëpërfshirës, ku secili prej nesh do të merrte përgjegjësi që na takojnë karshi normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe të mos na ndodhë që në fund ta lexojmë një marrëveshje, të vajtojmë e kukasim, por ta zbatojmë si ka ndodhur deri më tani. E kemi rastin e marrëveshjes së Brukselit më 2013. Ne aq kemi qenë të shokuar kur e kemi parë se çka është arritur, por ajo është aprovuar me dy të tretat e votave në Kuvend dhe duhet të zbatohet. Politika e Kosovës duhet të racionalizohet dhe të mësojë nga gabimet e veta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme