Arabi Saudite, rrëzohet një avion luftarak

10:10 | 13 Korrik 2018
Arbresh.info

Një avion luftarak i koalicionit të kryesuar nga Arabia Saudite është rrëzuar në kufirin saudit me Jemenin për shkak të një “defekti teknik”, ndërsa dy pilotët në bord kanë shpëtuar të gjallë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA citoi zëdhënësin e koalicionit Turki el-Maliki të ketë thënë se avioni i tipit Tornado i Forcave Ajrore Mbretërore të Arabisë Saudite që vepronte në kuadër të koalicionit është rrëzuar në rajonin Asir gjatë kthimit nga një fluturim trajnues.

Maliki njoftoi se dy pilotët në bord kanë shpëtuar të gjallë.

Aksident i ngjashëm ishte njoftuar në muajin janar, kur një avion saudit i koalicionit ishte rrëzuar gjatë kthimit nga një operacion në Jemen në mbështetje të qeverisë legjitime, ndërsa dy pilotët kishin shpëtuar pa marrë lëndime.

Jemeni është përfshirë nga një konflikt që nga viti 2014, kur rebelët Huthi përmes një puçi ndaj qeverisë legjitime morën nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Në vitin 2015, Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë masive ajrore në Jemen në mbështetje të qeverisë së Jemenit, duke synuar kthimin e territoreve të marra nga rebelët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme