Në Kosovë arsimi profesional është zgjedhja e dytë për nxënësit

09:08 | 12 Korrik 2018
Arbresh.info

Edhe këtë vit shkollor orientimi kryesor i nxënësve për regjistrim në shkolla të mesme janë gjimnazet dhe jo shkollat profesionale.

Kjo po ndodh nga frika se pas përfundimit të shkollimit profesional nxënësve nuk u ofrohet një vend pune. Ekspertet thonë se nxënësit të cilët zgjedhin shkollat profesionale, me shumë orientohen në drejtimet që kërkojnë shkollim të mëtutjeshëm. Ndërkaq zyrtarë të Ministrisë se Arsimit thonë se disa shkolla profesionale në vendin tonë, kanë kushte të mira për përgatitjen e të rinjve për treg, por kërkohet vetëdijesim me i madh te të gjithë.

Shumë nxënës në Kosove nuk zgjedhin shkollat e mesme profesionale për t’u regjistruar. Njëra ndër to është Arta Gashi, e cila i tha Radio Kosovës se arsyeja pse nuk ka zgjedhur një shkollë profesionale është frika se pas përfundimit nuk mund të gjejë një vend pune.

“Arsyeja pse nuk kam zgjedhur një shkollë profesionale është që në vendin tonë nuk kemi perspektiven e duhur. Dhe mendoj, që në vendin tonë, mund të përfundosh një shkollë profesionale, por nuk mund të gjesh një vend pune”.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se shkollat profesionale janë si zgjedhje e dytë për t’u regjistruar, ndërsa, sipas tij, edhe ata nxënës që regjistrohen zgjedhin ato drejtime që kërkojnë shkollim të mëtutjeshëm:.

“Është fakt që në Kosovë arsimi profesional është zgjedhja e dytë për nxënësit. Diku rreth dyzet e pesë për qind janë në drejtimet buro teknike, juridike, ekonomike, shëndetësore, të cilat për t’u punësuar kërkojnë studimet universitare.”

Ndërkaq, udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Mustafë Kadriu, theksoi se ka nevojë për një vetëdijesim me të madh te të gjithë për rëndësinë e zgjedhjes së shkollave profesionale, sepse shumica prej tyre kanë kushte për t’i përgatitur të rinjtë për tregun e punës.

“Unë mendoj se duhet të bëhet një propagande me e madhe edhe te prindërit dhe të nxënësit që të orientohen më shumë në shkollat profesionale. Nxënësit e mirë në praktikë, në vendet e tyre të punës, po mbesin menjëherë.”

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, arsimin profesional e ka shpallur si prioritet dhe pritet që në të ardhmen të përpilohen strategji të cilat do të ndikonin në përmirësimin e gjendjes në shkollat profesionale./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme