Dy shkolla në Shijak rrezikojnë të mos jenë më.
Rreth 500 nxënës bëjnë mësim me turne pasi institucionet arsimore prej vitesh i kanë lënë në mëshirë të fatit.
“Fiks Fare” ka bërë një vëzhgim në shkollën 9- vjeçare “Muharrem Dollaku”. Tavani rrezikon të shembet e të zërë fëmijët brenda. Edhe pse kati i tretë është ndërtuar dhjetë vjet më parë dhe fondi ka qenë plot 20 milion lekë, punimet sipas inspektimit të bashkisë kanë qenë jashtë standardit ndaj dhe ky kat aktualisht ka dalë jashtë funksionit. Bashkia e Shijakut në anën tjetër kërkon fonde të reja në Ministrinë e Arsimit për të ndërtuar një tjetër shkollë.
Prindërit ndjehen të shqetësuar për jetën e fëmijëve. “Vijmë i sjellim fëmijët mbasdite, pasi kati i tretë nuk përdoret. Na kanë thënë që rrezikon të bjerë tavani. Nuk dimë ç’të themi sinqerisht situata është shqetësuese”, shprehet një nga prindërit.
Në anën tjetër, nëndrejtoresha e shkollës thotë se kërkesat janë dërguar si në bashki ashtu edhe në ministri, por situata nuk ka pasur ndryshime. “Kemi bërë ankesat tona si në Bashkinë e Shijakut ashtu edhe në Drejtorinë Arsimore Rajonale Durrës, por edhe në Ministrinë e Arsimit. Nga inspektimet e bëra kati i tretë nuk duhet të përdoret, pasi rrezikon të shembet tavani. Ne e kemi nxjerrë katin jashtë funksionit dhe bëjmë mësim mbasdite. Po presim të ndërhyhet”. u shpreh ajo. Fiks Fare i është drejtuar Bashkisë së Shijakut e cila me ligj duhet të ndërhyje për të përmirësuar gjendjen e objektit arsimor. Nënkryetarja Shpresa Domi shpjegoi se ky kat është bërë shtesë para dhjetë vitesh dhe fondi i akorduar nga Ministria e Arsimit në atë kohë ka qenë rreth 20 milionë lekë.
Por aktualisht nga inspektimet e kryera del se punimet janë kryer jashtë standardeve të kërkuara.”Bashkia ka kërkuar në ministri ndihmë financiare për të ngritur një shkollë tjetër pasi në godinën aktuale mungojnë edhe standarde të tjera siç është palestra apo edhe biblioteka. Aty nuk ndërhyhet dot kështu që jemi në pritje, ne vetë s’kemi fonde” u shpreh znj.Domi. Situata shqetësuese paraqitet edhe në Borakë të Shijakut. 140 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Adem Sabri” prej më shumë se një viti janë transferuar në një shkollë të Maminasit, pasi shkolla “Adem Sabri”është jashtë funksionit.
Sipas prindërve dhe fëmijëve në këtë godinë nuk është vënë kurrë dorë ndaj dhe godina është amortizuar. “Shkolla është ndërtuar para 40 vitesh dhe askush nuk ka vënë dorë. Arriti një pikë që fëmijët s’mund të bënin më mësim, pasi rrezikonte tavani t’ju binte sipër. Banjat janë jashtë funksioni dhe rrezikojnë të përhapin epidemi nga pisllëku” u shpreh një nga prindërit. Një tjetër shpjegon se edhe dërgimi i fëmijëve në Maminas nuk është zgjidhje pasi fëmijët nuk i zhvillojnë orët e plota. Ata shkojnë mbasdite dhe mësimi bëhet jo i plotë. Për më tepër që fëmijët i lë fugoni në mes të rrugës. ” Maminasi nuk është zgjidhje, ka patur shumë raste kur fëmijët s’kanë bërë fare mësim. Një tjetër problem është që fugoni i lë në rrugë madje kanë ndodhur edhe aksidente. Ne kemi kërkuar të rregullohet shkolla “Adem Sabri”, por asgjë nuk është bërë” është shprehur një tjetër prind. Edhe fëmijët thonë se nuk bëjnë mësim tamam mbasdite. Madje ka pasur raste që s’kanë zhvilluar asnjë orë. Ata thonë gjithashtu se duan të rregullohet shkolla e tyre.
Fiks Fare i është drejtuar Bashkisë së Shijakut, nënkryetarja Shpresa Domi e pranoi që shkolla është jashtë funksioni pasi mbi të nuk është vënë kurrë dorë. Por ajo tha se bashkia ka bërë një projekt dhe e ka dërguar për financim në Ministrinë e Arsimit pasi buxheti i bashkisë është shumë i vogël për të përballuar rikonstruksione të tilla. Madje ajo shtoi se projekti parashikon rindërtim, pasi godina aktuale ka nevojë për zgjerim si dhe për një palestër. ” Jemi në dijeni të situatës, por nuk kemi pasur fonde. Kemi bërë një projekt i cili në fakt parashikon një rindërtim sepse shkolla ka nevojë për zgjerim, pasi shkolla ka nevojë për palestër, tualetet etj. Presim nga Ministria e Arsimit financimin” tha nënkryetarja Domi./Top Channel
Dita e ndeshjes, Kosova luan vetëm për fitore në udhëtim te ...
Rusia kryen sulm masiv në Odesa, teksa mijëra ukrainas mbesi...
Shpërthim me lëndë plasëse në Tropojë
Magjia e Vermoshit nën vellon e dëborës, Rama fton qytetarët...
Arbana Osmani vendos një rekord të ri në karrierën e saj
Lideri koreanoverior urdhëron “prodhim masiv” të dronëve sul...