KUJDES! Dhjetëfishohet gjoba për celularin gjatë drejtimit të makinës

17:13 | 10 Korrik 2018
Arbresh.info

Policia Rrugore i kërkoi zyrtarisht Kuvendit 10-fishimin e vlerës aktuale të gjobës për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit.
Sipas analizës së policisë, ky ndryshim i Kodit Rrugor është urgjent në kushtet kur ky fenomen po merr jetë njerëzish.

“Nëse do na lejoni ta bëjmë edhe për celularin pasi aktualisht është një masë qesharake e mbetur si dispozitë që në vitin 1992. Është krejtësisht e papajtueshme me realitetin. Në 8 aksidente 6 ndodhin për shkak të celularit. Kini parasysh nëse rripi sigurimit mbron drejtuesin e mjetit, ndërsa celulari përveç atij që e përdor mund të vrasë edhe të tjerë”, u shpreh Mitat Tola, drejtor i policisë rrugore.

Aktualisht vlera e gjobës për këtë shkelje varion nga 500 lek deri në 1500 lek. Por në ndryshimet e reja që policia kërkon ti bëhen kodit rrugor, kërkohet që kjo gjobë të kalojë në komision, me vlerë nga 5 mijë deri në 15 mijë lek, e njëjta masë si për mos vendosjen e rripit të sigurimit.

Propozimi parashikon edhe një masë tjetër plotësuese.
Në rast se një drejtues mjeti do gjobitet 3 herë brenda një viti për përdorimin e celularit, atij do ti pezullohet patenta nga 1 deri në 3 muaj.

Ndërkohë komisioni sigurisë kombëtare miratoi në parim propozimin e deputetit socialist Pjerin Ndreu sipas të cilit shtetasve të huaj që udhëtojnë në vendin tonë, mos ti pezullohet patenta në rast shkeljeje , me kushtin e pagimit të dyfishit të vlerës maksimale të gjobës. Por ndryshimet e kodit rrugor kërkojnë 84 vota, ndaj deputetët e mazhorancës u shprehën besim plotë se edhe opozita do t’i mbështesë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme