Google ADS

Parlamenti miratoi paketën fiskale, ja ndryshimet në ligjin për taksat dhe tatimet

14:23 | 10 Korrik 2018
Arbresh.info

Kuvendi miratoi propozimet e qeverisë për disa ndryshme në ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, atë për tatimin mbi të ardhurat si dhe taksat vendore.

Kjo u cilësua nga qeveria si paketa e mesvitit dhe që sjell një seri nismash të lakuara së fundmi në daljet publike të kryeministrit dhe ministrave gjatë turit të llogaridhënies por të gjitha këto ndryshime marrin fuqi ligjore në 1 janar 2019. Por cilat janë në fakt ndryshime që sjell paketa e re?

Tatimi mbi të ardhurat

Ndryshimet në këtë ligj përfshijnë së pari një saktësim për rastet e shitjes së pronës dhe për rastet e shkëmbimit të saj me sipërfaqe ndërtimi. Sipas kësaj pike në momentin që trualli shitet do të paguhet norma e fitimit 15 për qind kurse në momentin që ka vetëm një kontratë shkëmbimi nuk do të ketë pagesë. “Shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme” thuhet në ligj. Kjo i jep zgjidhje një ngërçi të hershëm që përfshinte ndërtuesit dhe pronarët e truallit në rastet e ndërtimeve.

Së dyti po në këtë ligj bëhet një ndarje e re për shkallën e tatimfitimit duke rritur pragun për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë në vit. Ky grup do të paguajë 5 për qind tatimfitim ndërsa biznes i madh konsiderohet mbi 14 milionë lekë duke pasur detyrimin e tatimfitimit 15 për qind.

Së treti për agroturizmin norma e tatimfitimit bëhet 5 për qind për një periudhë 10 vjeçare për strukturat që përfitojnë certifikimin deri në vitin 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit. Po 5 për qind është shkalla e tatimfitimit edhe për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor.

Në ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat u bë gjithashtu një riformulim i konceptit të termit të ardhura bruto në funksion të tatimit që do të aplikohet tek lojërat e fatit.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar

Në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar janë bërë ndryshimet e nevojshme për të përfshire tek shkalla 6 për qind edhe subjektet që operojnë në agroturizëm si pjesë e lehtësive të menduara për nxitjen e këtij sektori.

“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, të ofruar brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si ‘agroturizëm’, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruar në këto struktura. Personi I tatueshëm, që aplikon shkallën e reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, është personi i regjistruar me NIPT/NUIS, vetëm për zhvillimin e veprimtarisë pritëse të certifikuar si ‘agroturizëm’” thuhet në ndryshimet ligjore që hyjnë në fuqi në 1 janar 2019.

Taksat vendore

Edhe ndryshimet në këtë ligj lidhen me një lehtësi për subjektet që operojnë në agroturizëm të cilat përjashtohen nga taksa e infrastrukturës./Monitor

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme