Policia demanton mediat serbe: Nuk i kemi arrestuar ish-pjesëtarët serbë të FSK-së

10:35 | 10 Korrik 2018
M. A.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka demantuar lajmet e publikuara sot në mediat serbe se Njësia Speciale e Kosovës ka realizuar një operacion policor ndaj disa ish- pjesëtarëve të FSK-së.

“Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu policia sqaron se është duket u realizuar një operacion policor në disa lokale të rajonit të Gjilanit ku deri me tani janë arrestuar pesë persona nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Komunikata e plotë:

Sot, me datën 10 korrik 2018, pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjykatës kompetente është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshin disa lokacione të rajonit të Gjilanit.

Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona (m/s/k), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë.

Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme