Pashk Mirashi, ish-këshilltar i likuidatorit të Bankës Kreditore të Prishtinës, i dënuar me tri vjet burgim nën akuzën për përvetësim të 200 mijë eurove, ka shpalosur rrëfimin e tij nga Burgu i Dubravës, ekskluzivisht për Interaktiv të KTV-së.
Ai nis rrëfimin e tij se në Dubravë gjendet thjesht “për shkak të krimit të organizuar të institucioneve, prokurorisë dhe gjyqësisë”.
Mirashi, që është në burg tash e 15 muaj për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve, ka kritikuar ish-prokurorin, Nazmi Mustafi, se e ka montuar nga fillimi e deri në fund rastin e tij.
Mirashi thotë se më 2006 kishte kërkuar para nga një mik i tij në mënyrë që të blinte aksione në Bankën Kreditore, aty ku ishte drejtor i filialit në Gjakovë. Ai deklaron se miku i tij ia kishte dhënë 200 mijë euro dhe me ato para ishte marrë vesh me një aksionar për blerjen e aksioneve. Megjithatë, në periudhën e marrjes së huas dhe pagesës për aksionet, Bankës Kreditore i merret licenca dhe shkon në likuidim. Ai ka treguar se në këtë periudhë sa interesohej për aksionet, kishte kuptuar keqpërdorimet brenda bankës, megjithatë kishte vendosur t’i blinte aksionet me shpresën se situata nuk do të shkonte më keq dhe se banka do të rimëkëmbej.
“Miku im Ambroz Uka mi ka huazuar 200 mijë euro. I kam huazuar për nevojat e mia. I deponova thjesht sepse isha në një transaksion me një përfaqësues të një banke aksionare. Isha në bisedë me të dhe arrita marrëveshjen me të. Pasi arrita marrëveshjen me Shefqet Kastratin, u njoftova për shumë gjëra që nuk i dija si drejtor i filialit. Më njoftuan për shumë parregullsi dhe hezitova t’i blej aksionet, por pasi isha marrë vesh ai mi kërkoi të hollat menjëherë, dhe unë me shpresën se do të dalë nga kriza banka u detyrova të tërheqë paratë. Rrezikova duke e pa rrezikun, por me shpresën se nuk do të ndodhë. Aq më pak pasi NLB-ja pretendonte të blinte një pjesë dhe të dilte nga kriza. NLB-ja hoqi dorë dhe në mars 2006 shkuam në falimentim. I kam ble aksionet. Kastrati mi ka kthyer paratë për 7-8 vjet nga pak nga pak 175 mijë euro sepse nuk arrita unë të bëhem aksionar zyrtar e banka shkoi në likuidim e u bind edhe vet se ka pasur keqpërdorime në bankë”, ka thënë Mirashi për Interaktiv të KTV-së.
Ai më pas ka treguar se u akuzua se këto 200 mijë euro i ka marrë duke mashtruar një firmë se gjoja ka tërhequr paratë në emër të kësaj kompanie.
“Këto mjete i kanë lidhur me firmën Haro Trade gjoja se e kam mashtruar këtë firmë dhe se gjoja ai e ka nënshkruar në një fletë blanko A4 dhe sipas tyre unë kam manipuluar me këtë letër. Thotë se më ka ofruar ‘deklaroj se shumën 200 mijë euro nuk e kam prekur dhe pas disa thirrjeve jam takuar me ish-drejtorin që më ka ofruar një fletë Blanko A4 pasi më ka thënë se kjo më duhet për kredi, por deri tash paratë s’i kam marrë kurrë’, ka thënë Enver Ukshini, përfaqësues i firmës. Kjo është deklaratë e falsifikuar nga Nazmi Mustafi, vëllezërit Zherka dhe bashkëpunëtorët e Bankës Kreditore për të më eliminuar mua. Kjo s’është deklaratë e Ukshinit”, ka thënë Mirashi duke prezantuar edhe dokumentin e tërheqjes së parave nga Ukshini. “Pretendimi i tyre është se janë paratë e njëjta. Ai i ka tërheqë paratë e veta. Ndërsa këtij ja kanë imponuar të thotë jo”.
Sipas Mirashit, gjithçka nisi të montohej ndaj tij në momentin kur ai kuptoi se nga 7 aksionarë dhe dy kredimarrës ishin keqpërdorur 19 milionë euro. “Ata i kanë marrë 19 milionë euro s’kanë shkuar asnjë ditë në burg, unë pa marrë asnjë para jam qe sa në burg”.
Dënimin e Mirashit e kanë vërtetuar të gjitha gjykatat, sepse, sipas tij, “të gjitha ishin në bashkëpunim me njëra-tjetrën që me çdo kusht unë të dënohem. Në Apel, gjykatësi është sjellë si kauboj”.
Mirashi i ka quajtur vëllezërit Zherka sekserë të Mustafit. Ai thotë se Mustafi përmes vëllezërve Zherka e kishin ftuar të takohej dhe i kishin prezantuar dy mundësi që t’i shpëtonte ndjekjes gjyqësore.
“E para, të bëhesh dëshmitar kundër Hashim Rexhepit (guvernator i Bankës Qendrore atë kohë) dhe e dyta që t’ua jap 50 mijë euro që të kthehem në pozitën e punës së likuidator e të mos vazhdojnë më hetimet. Jam takuar me Mustafin në zyrën e tij në Prishtinë në prezencën e policit Zijadin Isaku. Më tha bëhu dëshmitar dhe nga kjo karrige kthehesh në vendin e punës sepse hiqet procedura ndaj teje. I thash se nuk bëhem kundër Hashimit sepse s’kam prova dhe s’dal i paskrupullt e nuk hy në ato ujëra. Mi kërkoi 50 mijë euro dhe i thash se nuk i jap e i kërkova të zbatonte ligjin. Mi dërgoi prapë vëllezërit Zherka e më kërkoi para borxh për ta dërguar djalin në shërim. Ia kam dhënë 20 mijë e më pas edhe tre mijë për afat katër muaj. Për katër muaj ndaj meje nuk është zhvilluar asnjë proces hetimor. Nuk e dija fare. Sikur të isha i zhytur në krim kisha pranuar t’ia jap 50 mijë euro sepse 150 mijë do më mbesnin e do të isha i lirë. Pse të mos ia jap 50 mijë euro të vjedhura? Kur ia kërkova paret ma shtyu edhe një muaj. Në janar 2011 nuk pranova të shtyjë prapë e i thash se prej datës së sotme mi mbani paratë me zor. Më 24 shkurt, përmes policit hetues më thirrën në Prishtinë. Më 28 shkurt jam lajmëruar në Prishtinë. Isaku më mori në intervistë dhe vendimin e kishte për arrestim. Si e kreva intervistimin më tha je i arrestuar. Pas 24 orëve me vendim të gjyqit jam dënuar 30 ditë burgim arrest shtëpiak. Si shkova në shtëpi e lajmërova policinë”, ka thënë Mirashi më tej.
Sipas tij, në kohën sa ishte në arrest shtëpiak, e kishte njoftuar policinë dhe përmes telefonatave të përgjuara i kishte thënë Mustafit që të ktheheshin mjetet. “Të nesërmen u bë kërkesa që të vazhdohej arresti shtëpiak për 60 ditë”.
“Më vjen vendimi i gjykatës. Prapë i thirri dhe u thash se mbani paratë dhe më ndërprisni arrestin shtëpiak, ndërkohë mi kërkojnë edhe pesë mijë euro tjera. U thash prit të mendoj e thirra policinë e i vura në kontakt lidhur me pretendimin e tyre dhe policia më tha po e hetojmë dhe nëse ua jap rri në kontakt e nëse i marrin nënshkruaj. E thirra një mik timin e mi gjen 5 mijë euro e ua qon ai vet atyre dhe u thotë të nënshkruajnë sepse ishin të bindur se tashmë më kanë mundur. Ma bien nënshkrimin. Pas 4-5 ore më thonë në telefon se tash jam i lirë. Menjëherë Nazmi Mustafi bëri kërkesë për ndërprerje dhe me kërkesë të tij gjykata vendosi ashtu. Më vonë e kuptova se në atë kohë nuk ishte ndërmarrë asnjë hetim se u plotësuan kushtet për mua, por ishte thjesht shantazh që të më bien këtu ku jam”, ka shtuar Mirashi.
Në të njëjtën kohë gjatë arrestit shtëpiak të Mirashit, ishte zhvilluar lënda ndaj Mustafit. Për disa muaj, Mirashi thotë se ndaj tij s’u mor asnjë veprim dhe pushoi rasti i tij deri në momentin kur i kërkoi paratë ndaj Mustafit. “Menjëherë u konfirmua akuza ndaj meje dhe nisi procesi gjyqësor ku u dënova. Jam dënuar më 2015, në një proces të shpejtuar për gjashtë muaj ku gjithçka ishte e përgatitur”.
“Procesi kundër Mustafit u zhvillua më 2012 gjithçka në bazë të dëshmive të mija. Ai është dënuar për këtë aktakuzë që jam dënuar unë. Ai është dënuar me tri vjet burgim dhe ka mbajt 18 muaj e është liruar me kusht. Ka pas ndikim të jashtëzakonshëm në rastin tim dhe në procesin gjyqësor që është zhvilluar ndaj meje. Është turp ky rast. Sepse nuk ka lënë asnjë gjë pa u shkelë, duke filluar nga deklarata që s’ka shkuar në ekspertizë e deri te letra blanko A4 që s’është ofruar dhe thjesht kjo është dokument zyrtar për të cilin askush s’mund të thotë se nuk i ke marrë paratë kur ekziston dëshmia e tërheqjes së parave. Ai s’është kthyer në punë, por i ka lënë njerëzit e vet. Reshat Millaku ka bë gjithçka, të gjitha falsifikimet në procesin tim që unë të dënohem e ai të mbetet prokuror dhe të bëeht kryeprokuror i Prokurorisë speciale. Turpi i Kosovës. Krimi numër një në Kosovë bëhet prokuror dhe ai është vet i korruptuar deri në maksimum”, ka shtuar më tej Mirashi.
Ai ka thënë se në këtë rast ka pasur përfshirje edhe të një gjykatëse të EULEX-it të cilës i ishte vazhduar mandati edhe pse në atë kohë bëhej emërimi nga Gjykata e Kosovës dhe jo më nga EULEX-i. “Dy gjykatës tjerë u avancuan në punë menjëherë pas dënimit tim”.
Mirashi thotë se “është person i rëndësishëm për ndjekje” sepse kishte zbuluar 19 milionë eurot e keqpërdorura.
Të gjitha dyshimet i lidh me “interesimin e disa njerëzve brenda Bankës Qendrore për të eliminuar Hashim Rexhepin”. Këtu akuzon edhe tash drejtorin e Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, Nexhat Kryeziun.
“Dyshimet e mija janë se në Bankën Qendrore ishin të interesuar ta eliminonin Rexhepin e numri një që doli haptas për këtë ishte zëvendësguvernatori Nexhat Kryeziu që në një periudhë më pati ftuar në një drekë e më pati kërkuar ta ndihmoj ta eliminojë Hashim Rexhepin. Individi që tash është në NPB në Prishtinë. Ky në restorantin e Behgjet Pacollit te Qafa më kërkoi ta eliminojë Hashim Rexhepin që të vinte ai në pozitën e tij. Ka menduar se kam dijeni që Rexhepi është i korruptuar dhe dua ta ndihmoj. Kjo mu vërtetua nga thirrja e Mustafit që më tha më jep prova për Rexhepin. Këta donin ta shkatërronin Bankën Qendrore. Ka pas qëndrime politike nga këta. Dihet se kush janë këta të fortët. S’dua të përmend emra sepse kam rrezik boll ma kanë çuar edhe kerrin në ajër. I kam gjet njerëzit e s’u mor kush me ta. Ma kanë shkatërruar familjen e po pres edhe këtu kur të më gjejnë të vdekur. S’kam kërcënime, por thjesht frikësohem nga këta që më kanë bërë gjithë këtë aktakuzë”, ka thënë Mirashi.
Mirashi, që thotë se një kohë ishte akuzuar se bashkë me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi kishte dashur ta vriste Mustafin, ka deklaruar se me Lumezin s’ka pasur kurrë asnjë bisedë.
“Mustafi nisi edhe një proces hetimor ndaj meje dhe ajo iu dorëzua Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë ku u mora në pyetje. Lumezin e takova në Prokurorinë e Qarkut, ku ishte kryeprokuror. Ai u ul prapa shpinës time vetëm që të dëgjojë rrëfimet e mija kundër Nazmi Mustafit. Kur u dënova dhe ai u bë kryeprokuror ia dërgova disa shkresa që të marrë përsipër lëndën dhe të shohë padrejtësitë ndaj meje”, ka shtuar Mirashi.
Në fund ai ka thënë se nuk do të dorëzohet për këtë rast dhe gjithçka ka bërë gati edhe për Gjykatën e Strasburgut ku thotë se janë habitur me trajtimin që ka marrë në Kosovë dhe me “montimin e rastit”.
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen
“Kam 90 për qind gjasa që s’do mbijetoj”, zbardhet biseda te...
Turqia shkarkon edhe dy kryetarë kurdë
Gjesti rrëfen në detaje se çfarë u bë shkak i ndarjes me Xhe...
Angela Merkel shpreh ‘shqetësim të madh’ për rolin e Elon Mu...
Rritet çmimi i gazit dhe elektricitetit në Britani/ Inflacio...