Thaçi: Largimi i serbëve nga FSK, i organizuar

13:12 | 9 Korrik 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se po zhvillohen bisedime me disa pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për kthimin e tyre në këtë Forcë, duke nënvizuar se askush nuk do të mund të pengojë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Deklaratat e tij pasojnë largimin e disa pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si pasojë e presioneve të Beogradit.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi tha se Kosova insiston në paqe dhe raporte të mira fqinjësore.

“Është koha për dorështrëngim dhe jo për t’u shikuar përmes tytave”, u shpreh Thaçi.

Ai ka potencuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugën e transformimit në ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë ushtri shumetnike, me standarde të NATO-s, gjithëpërfshirëse, në shërbim të paqes dhe stabilitetit. Do të jetë një ushtri me qëllim e vizion të sigurt për anëtarësim në NATO. Do të jetë një ushtri mbrojtëse dhe natyrisht me synimin për pjesëmarrje në misione paqësore ndërkombëtare. Paraqet mesazhin e paqes dhe në asnjë rrethanë kërcënim për askënd”, theksoi Thaçi.

Një numri i pjesëtarëve serbë të FSK-së nga rajoni i Gjilanit, javën e kaluar ka paraqitur kërkesën për largim nga kjo Forcë, për shkak të, siç është thënë, kërcënimeve dhe presioneve nga Beogradi.

Kohëve të fundit ata janë përballur me situata të pakëndshme, sulme me koktej molotovi ndaj pasurisë së tyre, ndalimeve gjatë kalimit kufitar në Serbi si dhe me kërcënimet e disa zyrtarëve në Beograd për dënimin e tyre deri në 10 vjet burgim, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në “formacionet e huaja të armatosura” (FSK).

Presidenti Thaçi ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës po zhvillojnë konsultime, biseda të brendshme me pjesëtarët serbë të FSK-së rreth këtyre zhvillimeve, duke potencuar se askush nuk do të mund të ndalë transformimin e kësaj force në ushtrinë e Kosovës.

“Shihet që është një synim i organizuar. Tash për tash nuk mund të them që ka motiv të qartë politik, por autoritetet dhe zyrtarët, eprorët e lartë të FSK-së janë duke i dëgjuar opinionet e secilit veç e veç me mirëkuptimin më të madh që ata të vazhdojnë punën, të luajnë rolin e vet që u takon për vendin e vet. Tek e fundit Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Por, një gjë mund ta them, askush as në Kosovë e as jashtë Kosovës nuk mund ta frenojë të drejtën e Kosovës si vend i pavarur e sovran që ta ketë ushtrinë e vet. Kjo punë tanimë është e kryer”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të dielën se qëndrimi i tij është se serbët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Nëse shihet si presion po që se themi që nuk do të dëshironim që serbi të shtinte në serbin, ngase për çka tjetër kjo ushtri do të shërbente”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se kjo ushtri (e Kosovës) nuk do të sulmonte Shqipërinë, shqiptarët në Maqedoni apo ata në Mal të Zi.

Duke potencuar se një ushtri e Kosovës mund të shihet vetëm kundër serbëve dhe Serbisë, Vuçiq ka deklaruar se nuk mund të shihet si presion kundërshtimi i Beogradit që serbët të jenë pjesë e FSK-së.

“A do t’i lejojmë ata dhe ne të heshtim e të shikojmë qiellin derisa ata të na e vrasin popullin”, ka thënë Vuçiq, duke përsëritur se veprimet, sipas tij “kriminale kundër popullit serb nuk do të përsëriten më”.

Ndërkohë, Thaçi ka thënë se Kosova nuk flet përmes armëve, por angazhohet për paqe, pajtim dhe raporte të mira me fqinjët.

“Nuk dua t’i komentojë deklaratat që flasin për gjakderdhje, luftë apo shënjetrim të njëri-tjetrit. Koha është për shtrirjen e dorës së pajtimit dhe jo shikimit përmes tytës”, ka thënë Thaçi.

Ai ka përsëritur se pret një marrëveshje me Serbinë në dialogun e Brukselit e cila do t’u ndihmonte të dyja vendeve. Në çdo rrethanë, tha Thaçi, e ardhmja e Kosovës nuk është e lidhur me atë të Serbisë.

“Po është shumë me rëndësi se derisa të mbërrijmë deri te ky moment duhet të sillemi në mënyrë korrekte me njëri-tjetrin, në mënyrë paqësore, ne hapa progresi dhe mirëkuptues ndaj njëri-tjetrit si dy shtete, por edhe si dy popuj”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, është me rëndësi jetike që të dyja shtetet të mos e befasojnë njëra-tjetrën.

“Çdo pretendim për veto për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës do të jetë i dështuar”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai ka bërë të qartë se Kosova do t’i themelojë Forcat e Armatosura në partneritet dhe koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme