Qeveria gjermane do të paraqesë brenda këtij viti një ligj imigrimi. Për këtë ranë dakord partitë në koalicionin qeveritar. Por përmbajtja e një ligji të tillë është ende e paqartë.
Mbi 50 leje të ndryshme që të lejojnë të jetosh në Gjermani njeh legjislacioni gjerman. Këtu bëjnë pjesë viza për artistët, leja e kufizuar e qëndrimit, leja e pakufizuar e rezidencës, Karta Blu e Bashkimit Evropian për punonjës shumë të kualifikuar e kështu me radhë. Veç kësaj ekzistojnë edhe shumë rregulla e dekrete, të shpërndarë në të gjithë legjislacionin gjerman. Një ligj i posaçëm për imigrimin deri tani mungon në Gjermani.
Kërkesë bazë e SPD
Ka vite që kërkesa për një ligj imigrimi është pjesë e programit të SPD, prej vitesh dështon SPD në rezistencën e partnerëve konservatorë të koalicionit CDU dhe CSU. “Gjermania nuk është vend imigrimi”, dëgjoje gjithmonë nga këto parti. Më vonë një ligj imigrimi është penguar me tezën se ka rregullime ligjore të shumëllojshme për këtë, prandaj nuk nevojitet një ligj imigrimi.
Por socialdemokratët e shohin këtë krejt ndryshe: “Rregullat aktualë të imigrimit janë një monstër burokratike”, ankohet për shembull politikani përgjegjës për politikën e brendshme në SPD, Burkhard Lischka në bisedë me DW. Edhe sikur të mbash parasysh vetëm nevojën që Gjermania të arrijë të dalë e suksesshme në garën ndërkombëtare për punonjësit më të mirë të kualifikuar, duhet të kërkosh “një ligj të thjeshtë, të qartë dhe të kuptueshëm migrimi”, thotë Lischka.
Imigrim në punë, jo në sistemet e mbrojtjes sociale
Ndërkohë, edhe partitë unioniste janë të gatshme që të flasin për një ligj imigrimi – vetëm se ai nuk duhet të quhet kështu: “Orientimin bazë e ofron marrëveshja e koalicionit qeveritar – dhe atje ne flasim për një ligj migrimi të punonjësve të kualifikuar”, thekson Philipp Amthor në bisedë me DW. Deputeti i CDU-së në Bundestag është anëtar i Komisionit të Punëve të Brendshme, migrim për të, si për të gjitha partitë unioniste do të thotë: imigrim në punë. “Nuk kemi dhe kaq pak migrim”, shprehet Amthor.
Konflikti i ardhshëm është i paraprogramuar
Sido që të quhet në fund: që në tetor, ministri i Brendshëm Seehofer do të paraqesë diçka, që mund të kishte pamjen e një ligji imigrimi. Se cila do të jetë saktësisht përmbajtja e tij është e paqartë. SPD-ja pati prezantuar para zgjedhjeve parlamentare një koncept, i cili orientohet mjaft në modelin e Kanadasë: çdo vit të lejohet të imigrojë në Gjermani një numër i caktuar imigrantësh. Ata do të përzgjidhen në bazë të një sistemi, në të cilin do të jepeshin pikë për arsimin, përvojën profesionale, njohuritë e gjermanishtes dhe të afërmit në Gjermani. Njëri nga hartuesit e konceptit është deputeti i SPD-së Karamba Diaby. DW-së Diaby i shpjegon:
“Me ligjin e imigrimit ne duam të kujdesemi për transparencë dhe të tregojmë se mbi bazën e cilave kritere mund të punosh dhe të jetosh në Gjermani.” Sipas këtij modeli, teorikisht do të ishte e mundur që të imigrosh në Gjermani pa pasur një ofertë për një punë të caktuar.
Ky është edhe njëri nga shkaqet pse e refuzojnë politikanët unionistë një model me pikë. “Te tema i imigrimit duhet të jetë e qartë një gjë”, thotë Armin Schuster, zëdhënës i CDU-së në Komisionin e Brendshëm. “Imigrimi në Gjermani kryhet përmes aksesit në tregun e punës”. Me fjalë të tjera: pa ofertë konkrete për punë nuk bëhet asgjë.
Nga informaticieni indian te kuzhinieri ukrainas
Por edhe në vetë partitë unioniste ndërkohë është e qartë se rregullat e tanishme janë shumë të ndërlikuara. “Deri tani kemi pengesa shumë të larta”, thotë Philipp Amthor. Prandaj me më shumë gjasa është një ligj i cili t’i përmbledhë rregullat ekzistues dhe t’i bëjë ato më pak të ngatërruara – këtë e mbështet edhe këshilli i ekspertëve për migrimin. Nuk është fjala vetëm për njerëz me kualifikime të larta. Më i thjeshtë duhet të bëhet migrimi për njerëz me profesione të thjeshta, por të kërkuara. “Nuk është fjala vetëm për superinformaticienin indian, por – dhe këtë mund ta them duke u nisur nga zona ime elektorale – edhe për kuzhinierin ukrainas.”/DW
Robert Lewandowski arriti shifrën jubilare në Ligën e Kampio...
FSK-ja shënon sot “Ditën e Forcës”
Trump nënshkruan marrëveshje me Shtëpinë e Bardhë për të fil...
Kurti sot merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës së Sigur...
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-së,...