Nesër shpallet konkursi për pranimin e studentëve në Universitet

14:44 | 8 Korrik 2018
Arbresh.info

Më 9 korrik shpallet konkursi për pranimin e studentëve të rinj në të gjitha Universitetet Publike të vendit. Ministria e Arsimit ka miratuar propozimet e Universiteteve Publike për numrin e studentëve të rinj që do të pranohen në vitin e ri akademik 2018/2019. Universiteti më i madhi në vend, “Hasan Prishtina” do të pranojë rreth 8 mijë e 500 studentë në nivelin bachlor.

Të gjitha Universitetet Publike të vendit do të hapin konkursin për pranimin e studentëve të rinj më 9 korrik. Ndërkohë, Ministria e Arsimit e ka miratuar numrin e propozuar nga këto universitete për vitin akademik 2018/2019. Burim Gashi nga Departamenti i Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, tha për Radio Kosovën se kjo procedurë ndodh çdo vit dhe se universitetet duhet të propozojnë numrin për studentët duke u bazuar edhe në rekomandimet e Agjencisë së Akreditimit.

“Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të bazohen në vendimet e Agjencisë së Akreditimit që akreditojnë programet e studimit, pasi ata kanë filluar nga viti 2016 të akreditojnë programet në bazë të numrit të studentëve. Nëse një institucion publik bën kërkesë për një program për ri-akreditim, në bazë të infrastrukturës të marr 200 studentë” ka thënë Gashi.
Universiteti më i madh në vend “Hasan Prishtina”, do të pranojë për këtë vit akademik rreth 8 mijë e 200 studentë të rinj. Prorektori Naser Sahiti, ka thënë se edhe këtë vit shumica e studentëve do të regjistrohen në fakultetin Ekonomik, Juridik, të Edukimit, Mjekësi, Filozofik e Filologjik.

“Ne kemi kërkuar që të pranojmë gjithsej në nivelin bachelor 8 mijë e 512 studentë të rinj në Universitetin e Prishtinës për vitin akademik 2018/2019, ku 7 mijë e 600 do të regjistrohen të rregullt, ndërsa 910 me korrespodencë. Në këtë numër hyjnë edhe ato kategori me përparësi ku 2% prej tyre janë nga familjet e ngushta të dëshmorëve, 12 % nga komunitetet jo shumicë dhe 5 % nga shtetet fqinje të Kosovës” tha Sahiti.

Ndërkohë, në Konferencën e Rektorëve e Universiteteve Publike është diskutuar që të ketë mbështetje me staf akademik ndërmjet universiteteve publike. Po ashtu, është diskutuar për situatën buxhetore të universiteteve dhe nevojën për rritjen e buxhetit për përmirësimin e kushteve në të gjitha aspektet. Temë diskutimi ishte edhe nevoja për miratimin e statuteve të disa universiteteve publike në Kuvendin e Kosovës, të cilat funksionojnë me statute të përkohshme./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme