Për dy javë, 80 mjekë nga Tetova kanë kërkuar dokumente për të ikur nga shteti

23:11 | 6 Korrik 2018
V. S.

Vetëm në dy javët e kaluara 80 mjekë nga Tetova dhe rajoni i Tetovës kanë marr vërtetimet për të punuar jashtë Maqedonisë. Eksodi i mjekëve fillon fuqishëm të zmadhohet. Vendin nuk e braktisin vetëm të rinjtë, por edhe mjekë specialistë, por ka edhe prej atyre që janë me 20 vite eksperiencë pune që kanë vendosur të braktisin shëndetësinë e Maqedonisë.

“Nuk mundemi të themi se vetëm të rinjtë braktisin vendin, braktisin vendin edhe specialistë me përvojë, njerëz që gjatë kohë kanë dhënë kontribut në vendet e tyre, në sistemin shëndetësor në Maqedoni”, tha dr. Ylber Besimi, nënkryetar i dhomës mjekësore për Televizionin 24.

Mungesa e mjekëve tashmë ndihet në të gjitha spitalet, por kjo do të jetë problem më i madh në të ardhmen, thonë nga Dhoma e Mjekëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nëse kështu vazhdon, nuk do të kemi sistem shëndetësor, me këtë tempo të boshatisjes të stafit shëndetësor të shtetit”, potencon Besimi.

Ministria e Shëndetësisë thonë se janë marr masa për të parandaluar këtë dukur me specializimin pa pagesë për studentët më të mirë të mjekësisë në secilën gjeneratë. Nga Ministria numërojnë edhe masa tjera, por pra precizuar kur dhe si do t’i realizojnë.

“Ministra e Shëndetësisë punon në drejtim për përmirësimin e kushteve për punë, rritjeve të pagave, zmadhim të mjeteve për ndërrim të tretë dhe punë gjatë natës, si dhe organizimi i trajnimeve edukuese shtesë për mjekët, në bashkëpunim me ekspert ndërkombëtarë, me qëllim që të parandaloj mjekët e ri të braktisin Maqedoninë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mosha mesatare e mjekëve që momentalisht punojnë është mes 55 dhe 65 vjet. Në 5 vitet e ardhshme do të pensionohet rreth 1.200 mjekë, parashtrohet pyetja se kush do të punojë në vend të tyre pas pensionimit, nëse te mjekët e ri vazhdon trendi i shpërnguljes me këtë tempo./Telegrafi/

Të ngjashme