Prishtina nuk e shijon mirë suksesin, probleme me viza nga ambasada zvicerane

13:38 | 6 Korrik 2018
Arbresh Info

Prishtina ka marrë një fitore historike ndaj FC Europas në rrethin para kualifikues të Ligës së Evropës.

Kryeqytetasit arritën një fitore të thellë 5-0 ndaj rivalëve nga Gjiblartari dhe me rezultat të përgjithshëm 6-1 kaluan në rrethin e parë të Ligës së Evropës.

Por ende pa e shijuar mirë gëzimin e kualifikimit, Prishtina po përballet me problemin e vizave.

Prishtina do të luaj me skuadrën nga Luksemburgu, Fola.

“Fitorja e mbrëmshme, përveç kualifikimit historik, ka gëzuar loja e përkryer dhe rezultati i thellë. Por, ende pa u zgjuar mirë, ende pa e shijuar fitoren e mbrëmshme, klubi është dashur të aplikoj për viza në Ambasadën e Zvicrës të caktuar nga Luksemburgu”.

“Por, Ambasada është duke shkaktuar probleme dhe skuadra rrezikon të mos jetë e kompletuar apo edhe t’i pamundësohet udhëtimi për Luksemburg”.

“Është mëkat i madh, në vend që futbollistët të jenë duke e shijuar fitoren, përveç që duhet qëndruar nëpër ambasada, ata po përballen gati edhe në diskriminim, sidomos me lojtarët nga Kontinenti i Afrikës”.

“Futbollistët që kanë udhëtuar vitin e kaluar në Suedi në ndeshjen me Norrkopingun dhe tash në Gjibraltar të pajisur me viza britanike dhe me dokumentacion të rregullt iu thuhet të presin për verifikim më të hollësishëm që merr kohë, ndërsa skuadra udhëton të hënën”.

“Përndryshe, skuadra kishte sot seancë stërvitore nga ora 10:00, por që ishte e çrregullt mu për shkak aplikimit në Ambasadë. Nga nesër ekipi do të jetë komplet dhe mund të llogarisim edhe në Armend Thaqin e Leotrim Bekteshin ku do të vazhdojnë përgatitjet intensive për raundin e parë të UEFA Evropa Ligës”.

“Ndeshja me Fola Esche të Luksemburgut zhvillohet të mërkurën më 11 korrik nga ora 18:00”, thuhet në njoftimin e klubit prishtinas.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme