MFSK: Tetë serbë kanë paraqitur dorëheqjen e tyre nga FSK-ja

11:42 | 6 Korrik 2018
Arbresh.info

Tetë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), nga radhët e komunitetit serb zyrtarisht kanë paraqitur deri më tani dorëheqjen nga FSK-ja.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin drejtori i departamentit për marrëdhënie me publikun në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), Ibrahim Shala.

“Deri më sot numri i atyre që kanë paraqitur dorëheqje është tetë. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës aktualisht shërbejnë  242 (11.10%) pjesëtarë nga radhët e komuniteteve. Prej tyre 130 pjesëtarë janë nga radhët e komunitetit serb, me përqindje, 5.28%”, tha Shala.

Shala po ashtu tregoi se vendet e lira do të plotësohen në rekrutimin e ardhshëm e cila do të bëhet sipas planifikimeve të parapara nga FSK.

“Në momentin kur FSK do të bëjë rekrutimin e ardhshëm sipas planifikimeve të parapara do të plotësohen të gjitha vendet. Në FSK nuk ka plotësime të vendeve në mënyrë individuale”, tha ndër të tjera Shala.

Ndryshe, presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme