Nga 30 marsi në Rripin e Gazës janë plagosur 181 gazetarë

15:46 | 4 Korrik 2018
Arbresh.info
Të paktën 181 gazetari palestinezë janë plagosur që nga 30 marsi, kur palestinezët filluan pothuajse çdo ditë të mblidhen përgjatë gardhit të sigurisë mes Gazës dhe Izraelit, njoftoi të mërkurën Komiteti për Mbështetjen e Gazetarëve (JSC).

Njoftimi JSC-së, organizatë jo-fitimprurëse anëtarët e së cilës janë shkrimtarë dhe gazetarë arabë, numrin e madhe të të plagosurve e përshkruan si “shokues për të gjithë ata që angazhohen për lirinë e medias”.

Më tej në njoftimin e JSC-së thuhet se 44 gazetarë janë plagosur nga të shtënat e ushtrisë izraelite, duke theksuar se shkalla e lëndimeve ishte nga “të vogla deri në fatale”.

Sipas Komitetit, që nga fillimi i protestave të paktën dy gazetarë janë vrarë nga plumbat e ushtrisë izraelite, ndërsa të tretit është dashur t’i prehet një gjymtyrë. Gjatë të njëjtës periudhë, sipas JSC-së, 40 gazetarë të tjerë u prekën drejtpërsëdrejti nga gazi lotsjellës, duke u “shkaktuar djegie të rënda ose fraktura”.

Gjithashtu, të paktën 110 gazetarë, duke përfshirë 27 femra, kanë vuajtur pasojat e thithjes të gazit lotsjellës, duke shtuar se të paktën gjashtë automjete shtypi ishin në shënjestër të bombave të gazit të shkrepura nga trupat izraelite.

“Shënjestrimi i qëllimshëm i gazetarëve paraqet një kërcënim real për jetën e tyre. Këto shkelje i pengojnë gazetarët që të monitorojnë demonstratat paqësore në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme”, thotë JSC, transmeton Anadolu Agency .

Që nga fillimi i tubimeve në Rripin e Gazës, më 30 mars, nga të shtënat izraelite janë vrarë më shumë se 135 protestues palestinezë, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur.

Demonstruesit kërkojnë “të drejtën për t’u kthyer” në shtëpitë e tyre në Palestinën historike, nga ku u dëbuan në vitin 1948 me qëllim të krijimit të një shteti të ri të Izraelit. Gjithashtu, kërkojnë përfundimin e bllokadës 11-vjeçare izraelite-egjiptiane ndaj Rripit të Gazës, që ka shkatërruar ekonominë e enklavës bregdetare dhe rreth dy milionë njerëz nuk kanë qasje në shumë mallra themelore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme