Google ADS

Apostolova godet MASHT-in: Kemi dhënë 34 milionë për sistemin e arsimit, rezultati juaj është zero

15:35 | 4 Korrik 2018
Arbresh.info

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që të bëhen reforma në arsim. Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Arsim ajo ka paralajmëruar se në bashkëpunim me MASHT-in janë duke punuar në një program të ri që do ta përmirësojë gjendjen në arsim. Për këtë e ka ftuar Qeverinë që ta miratojë dhe mbështesë këtë dokument.

“Sistemi i arsimit duhet të nisë nga 0. Në fushën e arsimit deri tash kemi dhënë 34 milionë euro por ato nuk kanë prodhuar rezultat”, ka thënë ajo.

Ajo i ka porositur deputetët që të mendojnë mirë para se ta votojnë projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90. Miratimi i këtij projektligji, sipas saj, do të shtojë pakënaqësi te kategoritë tjera. Apostolova ka përmendur edhe rastin e fundit të një zyrtareje të MASHT-it e cila dyshohet se kishte vjedhur në Bruksel e që u suspendua nga ministri Shyqiri Bytyqi.

“Kohës së fundit ka pasur ca aksidente ku në Ministrinë e Arsimit ka zyrtarë që nuk e kanë ngritur shumë mirësjelljen morale. Besoj e dini për çka është fjala nuk do të përmendi emra. Të punosh në Ministrinë e Arsimit është përgjegjësi e lartë”, është shprehur Apostolova.

Gjatë javës së kaluar, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka udhëhequr një delegacion të MASHT-it që ka marrë pjesë në takimin e 7-të ministror në kuadër të Platformës së Ballkanit Perëndimor për Arsim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion.

Një zyrtare e lartë e MASHT-it, emër i njohur për redaksinë, për një moment gjatë vizitës është ndarë nga pjesa tjetër e delegacionit.

Pasi që është vonuar, delegacioni është alarmuar dhe ka nisur ta kërkojë.

Kjo zyrtare në këtë kohë kishte shkuar për të bërë shopping. Në njërin prej dyqaneve në qendër të Brukselit, ajo është kapur duke vjedhur.

Zonja në fjalë, ka blerë disa gjëra në dyqan e disa të tjera i ka futur në çantë. Vlera e gjërave të vjedhura ishte 40 euro.

Lëvizjet e saj janë përcjellë vazhdimisht nga sigurimi i dyqanit dhe gjithçka është kapur gjithashtu nga kamerat e sigurisë.

Sigurimi e ka pritur, derisa zyrtarja kosovare ka provuar të dalë nga dyqani me rrobat e vjedhura dhe e kanë ndaluar duke ia marrë ato.

Sigurimi e ka ftuar Policinë e cila e ka intervistuar zyrtaren e MASHT-it, e cila më pas është liruar dhe i është ribashkuar delegacionit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme