Selmanaj: Thaçi ka uzurpuar dialogun, LDK-ja nuk merr pjesë në agjendën e tij private

00:09 | 4 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi e ka uzurpuar procesin e dialogut me Serbinë dhe si e tillë partia e tij nuk do të marrë pjesë në këtë proces.

Ai ka bërë thirrje që të arrihet konsensusi politik për të shkuar në zgjedhje të reja, pas të cilave kryeministri i ri do të caktohej si prirës i procesit të të ashtuquajturës finale me Serbinë.

“Përderisa e kontestojmë se si e ka uzurpuar këtë proces nuk ka kuptim që të marrim pjesë në çfarëdo agjende të tij. Është agjendë e tij private. Kosova është republikë parlamentare, jo presidenciale. Ai ka kompetenca në aspektin formal, për normalizimin e raporteve me një shtet, por nuk ka mandat pa autorizimin e Kuvendit të Kosovës. Në rast se vjen në Kuvend, Kuvendi duhet të autorizojë qeverinë. Ai ka vetëm post ceremonial”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj ka akuzuar Thaçin për qasje abuzive në procesin e dialogut dhe e ka quajtur shkatërruesin më të madh të Kosovës që prej karrierës së tij si politikan.

“Thaçi prej ekzistencës së tij në jetën politike vazhdon të jetë shkatërruesi më i madh i Kosovës. Dëmet që i ka shkaktuar ai nuk do të rikuperohen me vite të tëra”, ka thënë Selmanaj që ka pranuar se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë e Ramush Haradinajt.

“Dialogun duhet ta udhëheq një qeveri e re, një kryeministër që merr përgjegjësi për këto obligime shtetërore. Është e vërtetë që nuk i kemi numrat, por ne besojmë se sa më shumë që afrohen temat e vështira, kam shpresën se këta numra do t’i gjejmë. Ne po flasim për një person që gazetat e huaja na tregonin se po realizohen takime sekrete mes Vuçiqit dhe Thaçit dhe se po diskutohet ndarja e Kosovës”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Selmanaj ka thënë se Thaçi do të vazhdojë të shkojë për takime me Aleksandar Vuçiqin në Bruksel, por sipas tij, këto takime do të shërbejnë vetëm për të bërë fotografi.

“Vizitat e tilla do të jenë të karakterit për bërë një foto, për të shkëmbyer ide. Duke parë se si ka vepruar, jam i sigurt se ai është koshient se pa konsensus politik nuk mund t’i dalë në krye këtij procesi”, ka thënë veç të tjerash ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme