Google ADS

Wimbledon, Federer dhe motrat Williams kalojnë në rundin tjetër

13:52 | 3 Korrik 2018
Arbresh Info

Edicioni i 132-të i turneut “Grand Slam” të Wimbledonit, që feston 150 vjetorin e krijimit të tij, nisi me një surprizë të madhe.

Sloan Stephens, finalistja e “Roland Garros” u eliminua që në raundin e parë.

Ishte Donna Vekic, ajo që shkaktoi këtë befasi në ditën e parë të Wimbledonit, teksa e mundi tenisten amerikane 2-0. Vekic ishte dominuese në lojë, duke i fituar të dyja setet me rezultatin 6-1 dhe 6-3.

Për në raundin tjetër u kualifikuan edhe motrat Williams. Serena Williams, që u tërhoq nga “Roland Garros”, mundi në raundin e parë holandezen Rus me rezultatin 2-0, me sete 7-5 dhe 6-3. Ndërsa Venusi eliminoi pas tri seteve Johana Larsson. Venus Williams humbi setin e parë 6-7, por dominoi dy të tjerët duke i mbyllur 6-2 dhe 6-1, transmeton TopChannel.

Në kampin e meshkujve, Roger Federer dominoi në ndeshjen e raundit të parë me Dusan Lajovic, të cilin e mundi 3-0. Zvicerani, që ka ndërruar edhe sponsor duke kaluar nga Nike te Uniqlo, nuk e vuri në diskutim asnjëherë këtë fitore, duke i mbyllur setet me rezultatin 6-1, 6-3 dhe 6-4.

Për në raundin e dytë të turneut të Wimbledonit u kualifikua edhe finalisti i vitit të kaluar, Marin Çiliç. Tenisti kroat eliminoi japonezin Yoshihito Nishioka, duke e mundur me rezultatin 3-0. Çiliçit iu desh vetëm një orë e 46 minuta lojë për të fituar këtë ndeshje, me setet 6-1, 6-4 dhe po 6-4.

Surpriza e vetme në kampin e meshkujve për turneun e Wimbledonit ishte eliminimi i Borna Coric, fituesi i turneut të “Halle”-s, që u mposht nga Medvedev.

Të ngjashme