Bacili i tuberkulozit vepron si “Kali i Trojës”

13:30 | 3 Korrik 2018
Arbresh.info

Shkencëtarët nga University of British Columbia dhe Instituti Hulumtues i Vancouverit, kanë zbuluar se si bacili i tuberkulozit fshihet dhe shumohet në organizmin e njeriut, ndërsa janë duke punuar drejt zbulimit të një mjekimi i cli do bllokojë këtë mekanizëm të infeksionit.

Burimi: University of British Columbia

Ky zbulim i botuar në revistën, Cell Host and Microbe, përshkruan hallkën që mungonte ndërmjet një proteine të bacilit të tuberkulozit dhe proteinës së saj homologe, të sapo zbuluar, në qelizat e bardha (makrofagët) të organizmit të njeriut.

Bacili i tuberkulozit shkakton sëmundje duke infektuar makrofagët e organizmit. Në gjendje normale, makrofagët gëlltitin bakteret dhe pastaj lëshojnë enzimat e fuqishme digjestive të cilat i shkatërrojnë bakteret.

Shkencëtarët zbuluan se një proteinë e sekretuar nga bacili i tuberkulozit shënjestron një proteinë të makrofagut, dhe kështu bacili i tuberkulozit e pengon procesin e përshkruar më sipër, dhe në këtë mënyrë fshihet dhe shumohet brenda makrofagut.

Studimi sugjeron se terapitë të cilat do ta bllokojnë aktivitetin e proteinës së bacilit të tuberkulozit në makrofagët, do t’i mundësojnë organizmit që ta njohë më lehtë bacilin e tuberkulozit. Kjo mund ta parandalojë vendosjen e tuberkulozit aktiv dhe latent, dhe mund të çojë në zhvillimin e terapive të reja dhe shumë më efektive për mjekimin e tuberkulozit.

“Kur depërton në makrofagun human, bacili i tuberkulozit vepron si Kali i Trojës. Bacili i tuberkulozit shumohet brenda makrofagut dhe pasi lirohet e sulmon organizmin e njeriut. Duke identifikuar këtë proteinë do të mund t’i ekspozohet organizmit bakteri i fshehur dhe në këtë mënyrë makrofagët do të mund ta shkatërrojnë atë“, ka thënë Dr. Horacio Bach, autori kryesor i studimit.

Deri më tani është arritur të inxhinierohet një antitrup specifik i cli bllokon këtë proteinë të sapo zbuluar të bacilit të tuberkulozit.

Dhe tani shkencëtarët janë duke kërkuar bashkëpunimin me industritë farmaceutike për të krijuar një terapi e cila do të mund të shfrytëzohet në bllokimin e këtij mekanizmi të veçantë, që do të jetë një “mjet” i rëndësishëm në dobësimin e bacilit të tuberkulozit. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme