Adem Mikullovci, deputet i VV-së dhe delegat i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe më pas edhe pjesë e deputetëve që nxorën Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator të po atij viti, tha se dita e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet si Deklarata e Pavarësisë, ishte vetëvendosje politike e popullit.
“Ajo kohe ishte e vështirë, ishin kushte shumë të vështira. Kur mahitem them: a është më i rëndësishëm ai që shënon gol apo ata që përgatisin atë gol. Kuptohet se të gjithë e përmendin atë që e jep golin. Ka pasur shumë njerëz që kanë kontribuuar në këtë drejtim. Profesori Gazmend Zajmi ka qenë më i rëndësishmi. Në atë kohë, kur Kosova ishte në shtetrrethim e kur njerëzit burgoseshin për çfarëdo, del Zajmi e thotë: “mos i maltretoni deputetët, unë jam autor i deklaratës kushtetuese”. Ka qenë gjest marramendës. Në ditën e tretë të gjykimit tim, gjykatësi më tha se e dimë se s’je ti autori i atij teksti, por është Zajmi dhe më pyeti se kush është ai. Deklarata e Zajmit ka qenë një bombë. Është e vërtetë se ai e ka përpiluar deklaratën. Kur më liruan prej burgut, erdha në Prishtinë… erdhi një djalë e më tha se profesori Zajmi po dëshiron me të taku. Profesori më dha një këshillë: nëse të thërrasin prapë, mos shko”, tha Mikullovci në Interaktiv të KTV-së, raporton Koha.net.
Më pas, Kutoolvci përmendi edhe Ilaz Kureshin për të cilin tha se është një tjetër person që ka kontribuuar shumë për atë datë. “Kuvendi i Serbisë nuk ka mundur të marrë asnjë vendim pa e aprovuar Kuvendi i Kosovës. Kurteshi ka qenë deputet i Kuvendit Federativ (të Serbisë). Ai na e dërgonte rendin e ditës të Kuvendit të Serbisë dhe përgatiteshim paraprakisht për të reaguar ndaj atyre pikave. Ilaz Kushteshin e kemi pasur mentor të vazhdueshëm, na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Ka qenë veprimtari e guximshme, heroike, prej anës së tij”, tha ai.
Mikullovci përmendi edhe Sekretarin e Kuvendit të atëhershëm, Halit Muharremin, i cili tha se ka qenë urë lidhëse mes Kuvendit dhe Akademisë së Shkencave.
“Kemi qenë dy herë në Kuvendin Federativ, takime që i ka organizuar Muharremi”, tha ai.
“Edhe Ilaz Ramajli ka bartur në shpinën e vetë komplet organizimin e shpalljes së Republikës së Kosovës në Kaçanik”, shtoi Mikullovci.
Tutje, Mikullovci thotë se Kosova i ka pasur dy luftëra në atë periudhë.
“E para ka qenë përballimi me deputetët serbë e malazez në Kuvendin Federativ të Serbisë, dhe lufta tjetër kanë qenë vështirësitë për t’i bindur deputetët e kombësisë turke dhe rome. Kemi pasur edhe dy romë që i kemi ftuar si deputetë për të treguar se kjo po bëhet për tërë popullin. Në një bisedë me një rom, më kujtohet që më pati thënë ‘Po kërcënohemi nga serbët që të mos votojmë për propozimet e shqiptarëve’”, kujton deputeti i VV-së.
Mikullovci thotë se janë takuar disa herë në shtëpinë e profesor Skender Skenderit, takime këto që thotë të kenë qenë ilegale, për t’u koordinuar për seancat e Kuvendit.
“Ne atëherë s’kemi pasur as rroga e as mëditje. Kemi qenë deputetë, dërgues të popullit. Rrogat i kemi marrë në punët tjera. Kjo ka qenë përgjegjësi”.
“Nuk di që ka deputet që s’është marrë në biseda informative, ka pasur edhe rrahje, por ne patëm vendosur për të marrë atë vendim”.
“Shumë njerëz po thonë që kjo ka qenë nisma e vërtetë e ndarjes së Kosovës nga Serbia. Edhe vet paraqitja e UÇK-së më vonë e kanë njëfarë filli nga 2 korriku. Kosova më s’ka qenë në përbërje të Serbisë. Një avokate na pati thënë: ‘shpalleni ju pavarësinë, e Serbia, edhe nëse ju mban edhe 100 vjet, do të jetë okupatore’”.
Mikullovci thotë se qeveritë e pasluftës nuk po e respektojnë sa duhet datën e 2 korrikut.
“Qeveritë e pasluftës nuk e përfillën sa duhet 2 korrikun, po na thërrasin në kafe e dreka, por jo më shumë. Mirëpo populli po e mban në mend dhe e kujton si diçka të rëndësishme. Pse e pranuan Kornizën Kushtetuese të Kushnerit, e nuk thanë se e kemi Kushtetutën e Kaçanikut. Ajo deklaratë i përshtatet kohës së sotme. Është më e mirë se e tashmja. Pjesë e saj ka qenë edhe pika për mediat: Programi i parë shqip, programi i dytë serbisht, sport dhe minoritete. Kjo ka qenë një pjesë e kushtetutës së atëhershme për mediat. Është një Kushtetutë e përsosur”, u shpreh ai.
Deputeti më i moshuar i Kuvendit të Kosovës, foli edhe për veprimtarinë politike të subjektit të cilit tani i tako, Vetëvendosjes.
“Sikur të ishte VV në pushtet, do të ishte krejt ndryshe. Kosova do të ishte shumë ndryshe. Ju garantoj se në asnjë mënyrë nuk do të kishte kaluar demarkacioni me Malin e Zi. Nuk do të diskutohej në asnjë mënyrë Asociacioni i komunave serbe. Po i frikësohem shumë kësaj, dhe kam frikë se do të kalojë në Kuvend. VV do ta kundërshtojë. Ndoshta do të ketë protesta, demonstrata e madje edhe gaz lotsjellës. Ato komuna mund të shpallin referendum për t’u ndarë nga Kosova. Të bëhen si Republika Serpska në Bosnje. A po e dinë këta liderë çfarë janë duke bërë? Do të jetë tragjedi për popullin e Kosovës. Do të copëtohet Kosova. I falëm Malit të Zi 8200 hektarë tokë. Dhe ne si VV ju kemi thënë vazhdimisht popullit se s’ka viza edhe pas demarkacionit. Të gjitha të zezat që na kanë ardhur, kanë dalë nga Pakoja Ahtisaari. Të gjitha të këqijat i kemi nga ajo pako”, deklaroi deputeti i VV-së.
“Deputetët e mi më kanë larguar nga salla kur është hedhur gazi lotsjellës”, tha Mikullovci, kur foli për seancën ku po votohej për demarkacionin me Malin e Zi.
Mikullovci thotë se ka ndryshuar shumë gjendja në Kuvend nga koha e tij kur ka qenë deputet për herë të parë.
“Nuk po gjindem bash mirë në këtë Kuvend. Po ndihem si i huaj”, tha ai.
Deputeti i VV-së thotë se kushti i bashkësisë ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin në mënyrë që të ndodh liberalizimi i vizave, është i pakuptimtë dhe i padrejtë.
Mikullovci s’e kishte ditur se VV po ndahej.
“S’e kam ditur që ka pasur mosmarrëveshje e diskutime për ndarje. Nuk jam përzier shumë, por e kam përjetuar shumë rëndë. Programi i VV-së është i tillë që po e mori qeverinë, do të bëjë gjëra shumë të mira”, shtoi ai, duke theksuar se largimi i deputetëve është “grusht i rëndë për VV-në”.
“S’e di a janë të vetëdijshëm, jo sa e kanë dëmtuar VV-në, por gjendjen në Kosovë”.
Mikullovci, duke u sqaruar për deklaratën e tij në Kuvendin e Kosovës, ku tha se duhet bazuar edhe në Kanun për të edukuar fëmijët tanë, tha se është mundur të kritikojë ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, që të mbështetet në traditën tonë.
“Njeriu më i mirë është ai që s’kacafytet me askënd. Duhet të bazohemi në edukatën tradicionale tonë për fëmijët. S’e kam menduar seriozisht kur kam thënë se fëmijët duhet rrahur, e të ketë bazë në Kanun. E kam menduar krejtësisht të kundërtën. Vetëm me edukatë mbërrihen të mirat, se kur vjen puna te dhuna, s’ka asgjë në atë familje. Ruajtja e familjes duhet të ruhet si traditë. Duhet të nënkuptohet që fëmija s’duhet të rrahet, s’ka nevojë për ligj për këtë. Prandaj kam thënë se duhet të bazohemi pak në traditën tonë familjare”, deklaroi deputeti i VV-së, Adem Mikullovci, dhe përfundoi duke thënë: “Nuk jam aq i marrë që të them se fëmijët duhen rrahur”.
Mikullovci tha se është tërhequr nga aktrimi./Koha.net/
Sot në Kamenicë zbulohet shtatorja e heroit Metush Krasniqi
Sot hapet Konventa e Industrisë së Drurit të Kosovës
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...