Google ADS

Vdekja misterioze e shoferit të Xhafës, familjarët: S’ka patur probleme, festoi deri në mëngjes

23:14 | 2 Korrik 2018
Trina Galanxhi

Pas vdekjes misterioze në ambientet e Gardës së Republikës të Shkëlzen Qordjas, grupi hetimor mori në pyetje familjarët e të ndjerit. Ata u shprehën se nuk kanë patur dijeni nëse Qordja ka pasur konflikte me persona të tjerë e po kështu sipas familjarëve, 31-vjeçari ishte njeri i qetë.

“E kemi parë ditët e fundit, por nuk kemi vënë re ndonjë shqetësim tek ai. Nuk mund të kemi një shpjegim pse ndodhi”, theksuan familjarët, raporton ABC News.

Ish-shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u gjet i pajetë rrethana misterioze. Policia ka thënë zyrtarisht se ai ka qëlluar veten më armën e shërbimit ditën e shtunë rreth orës 09:30. Sipas dëshmive të shokëve të ngushtë të Shkëlzen Qordjas, ai kishte festuar ditën që ndodhi krimi, deri në orën 6 të mëngjesit. Pas disa orësh, i riu u gjet i pajetë me një plumb në kokë brenda automjetit të tij në garazhin e Gardës së Republikës të mbyllur nga brenda.

Pavarësisht se grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së ambienteve të Gardës, përsëri në vendin, ku 31-vjeçari kreu vetëvrasjen nuk ka kamera sigurie. Sipas dëshmive të efektivëve të gardës që ishin në detyrë mesditën e 30 Qershorit, ata nuk kishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, gjë që do të përcaktonte saktë edhe momentin e kryerjes së aktit nga i riu.

Version se Shkëlzen Qordja është vetëvrarë e konfirmon edhe ekspertiza mjeko-ligjore. “Ai u vetëqëllua në pjesën e djathtë të kokës dhe plumbi i ka shkaktuar dëmtime të shumta në kokë, ndërsa në automjet u gjendën tre gëzhoja”, thuhet në akt-ekspertize. Prokuroria ka sekuestruar edhe telefonin e Shkëlzen Qordjas për të zbuluar komunikimet e fundit që 31-vjeçari kishte pasur pak çaste se të vriste veten.

Të ngjashme