Google ADS

Rohani në Evropë, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore

15:31 | 2 Korrik 2018
Arbresh.info

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, nis sot turneun në Evropën perëndimore, për të diskutuar fatin e marrëveshjes bërthamore midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Udhëtimi i Rohanit në Zvicër dhe Austri është pjesë e përpjekjeve diplomatike të Republikës Islamike për të mbledhur mbështetje, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Përpara se të nisej nga Teherani, Rohani tha të hënën se pret që vendet evropiane të shpalosin në ditët e ardhshme disa masa për ruajtjen e marrëveshjes.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në muajin maj dhe ka rikthyer sanksionet kundër Iranit.

Zyrtarët amerikanë i kanë paralajmëruar edhe vendet e tjera se mund të përballen me sanksione, nëse nuk ndalojnë të bëjnë biznes me Teheranin.

Vendet e tjera nënshkruese të marrëveshjes, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, kanë thënë se mbeten të përkushtuara në zbatimin e saj, përderisa Irani e respekton.

Me këtë marrëveshje, Irani e ka frenuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Rohani do të qëndrojë në Zvicër sot dhe nesër dhe do të zhvillojë bisedime me presidentin Alain Berset dhe zyrtarë të tjerë, tha Qeveria zvicerane.

Më 4 korrik, Rohani do të takojë homologun nga Austria, Alexander Van der Bellen, dhe kancelarin e këtij vendi, Sebastian Kurz, në Vjenë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme