Google ADS

VV: Thaçi ka kidnapuar dialogun me Serbinë

13:36 | 2 Korrik 2018
Arbresh.info

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca në një konferencë për medie, ka shprehur kundërshtimin e kësaj partie lidhur me udhëheqjen e dialogut me Serbinë, nga presidenti Hashim Thaçi.

“Serbia ta zgjedh BE-në, e jo Kosovën, është opsioni i vetëm i pranueshëm për Vetëvendosjen, mirëpo, sipas tyre Thaçi po i mundëson Serbisë që t’i zgjedh të dyja, edhe një copë të Kosovës, dhe BE-në me hapa të sigurt”, tha Konjufca.

Konjufca ka ngritur një paralele në mes të dialogut dhe Gjykatës Speciale.

“Ai mendon që duke bërë kompromise me Serbinë, ndoshta për pak muaj do ta shtyjë Gjykatën Speciale”, vazhdoi tutje Konjufca kritikat ndaj ish-kreut të PDK-së.

“Secilit politikan që do t’i ofrohej me udhëheq dialogun me Serbinë, me siguri se do të mendonte disa herë dhe do të hezitonte, është vetëm një politikan që po vrapon me qenë në krye. Kjo tregon se presidenti Thaçi dialogun e ka diçka jetike, mirëpo ne mendojmë se kjo është jetike vetëm për karrierën e tij personale”, tha ai.

Sipas Konjufcës, Thaçi ka kidnapuar dialogun, sepse Qeveria ka qenë ajo që gjithnjë ka udhëhequr me dialogun.

“E shpalli vetveten drejtues të dialogut. Me sa e dimë ne në Kosovë nuk ka ndodh kurrfarë ndërrimi i kompetencave të presidentit. Pra, Thaçi ka ato kompetenca që ka pas edhe Jahjaga”, tha ai.

“Tash kur presidenti i hoqi vijat e kuqe me Serbinë, Parlamenti duhet t’ia vendosë vijat e kuqe Hashim Thaçit”, tha Konjufca, duke komentuar deklarimin e presidentit Thaçi që dialogu me Serbinë nuk ka vija të kuqe.

Konjufca tha se shkëmbimi i territoreve duhet të jetë vijë e kuqe. Deklarimin e Thaçit se konflikti me Serbinë rrezikon t’i ngjasojë gjendjes së Palestinës, Konjufca e ka quajtur kërcënim të popullit.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit që të mos e kërcënojë më popullin e Kosovës, me raste të tilla që ekzistojnë në botë e që Kosova nuk ka lidhje”, tha Konjufca.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme