Kosova do duhej ta shpallte pavarësinë në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut

10:50 | 2 Korrik 2018
Arbresh.info

Formimi i ushtrisë do të ishte një çështje e kryer, sikurse Kosova ta kishte si dokument bazik kushtetutën e Kaçanikut.

Kështu thonë deputetët të Kuvendit të Kosovës dhe njohës të çështjeve juridike për nder të 28 vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese.

Kjo deklaratë u shpall me 2 korrik të vitit 1990, në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën tytat e snajperëve serbe, që fal saj u mundësua edhe miratimi i Kushtetutës në qytetin e Kaçanikut, në muajin shtator të të njëjtit vit.

Ky akt më i lartë juridik nuk i jepte të drejtën e vetos deputetëve të komunitetit serb për të bllokuar miratimin e atyre ligjeve që konsolidojnë shtetësinë e Kosovës.

Kurse, Neni 81 i kushtetutës aktuale para sheh që disa ligje nuk mund të kalojnë pa votën e dy të tretave të deputetëve që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë.

Si pasojë e kësaj dispozite, institucionet e Kosovës që gati pesë vite nuk po arrijnë dot ta bindin Listën serbe të votojë por ndryshimeve kushtetuese për transformimin e FSK-së në forca të armatosura.

Për këtë, deputeti aktual i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci dhe ish-delegatë i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të viteve 90-ta për arbëresh.info thotë se Kosova do të duhej të shpallte pavarësinë duke u bazuar në këtë deklaratë.

“Mendoj se qeveritë tonë është dashur më shumë të thirren në atë deklaratë, më shumë të bazohen në atë, sepse Pavarësia e Kosovës është bërë atëherë. Ajo ka qenë shumë më e mirë se ajo e Ahtisarit. E ka bërë Kosovën mëvetësi, pavarësi, ndarja nga federata dhe shtet në veti. Ajo nuk ka pasur kushte nga Serbia, siç kemi me kushtetutën aktuale që bazën e ka në dokumentin e Ahtisarit”, thotë ai.

“Është për të ardhur keq për ata politikanë që e pranuan kornizën Kushtetuese në kohën e UNMIK-ut. Qysh atëherë është dashur të ngulnin këmbë. Do të duhej t’iu thoshin atyre se ne e kemi kushtetutën që e ka miratuar kuvendi legjitim i popullit të Kosovës”.

Sipas tij, me Kushtetutën e Kaçanikut, Kosova do të funksiononte shumë më mirë. Ai madje thotë se serbët nuk do të mund të themelonin komunat e tyre më numër të vogël të banorëve.

“Tash janë bërë nëntë komuna serbe. A bëhet komuna me pesë gjashtë shpi serbe. Kjo është katastrofë çfarë po bëjnë këta njerëz. Kjo është turp. Është për të ardhur keq që këta njerëz, disa se nuk mund të them për të gjithë në vend së të mbeten në histori si heronj si njerëz që ja kanë sjell lirinë popullit, ata do të mbeten të njollosur”, shtoi Mikullovci.

Aktualisht, Kosova ka nëntë komuna serbe që disa prej tyre u themeluan edhe pa e plotësuar kushtet të përcaktuar me Ligjin për Kufijtë Administrativ Komunal dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës në vitin 2015 arriti një marrëveshje me Serbinë në Bruksel që cakton parimet për themelimin e Asociacionit të komunave serbe për të cilën Gjykata Kushtetuese konstatoi se 23 pika të kësaj marrëveshje bien ndesh me Kushtetutën në fuqi.

Kushtetuta aktuale e bën shtetin jo funksional

Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se përmbajtja e Kushtetutës së Kaçanikut është shumë më e mirë se ajo e Kushtetutës aktuale.

“Kushtetuta e Kaçanikut në krahasim me kushtetutën aktuale të Kosovës, në kuptimin e të drejtave, në kuptimin e kompetencave, në kuptimin e pavarësisë, të ruajtjes së sovranitetit, të ruajtjes së integritetit territorial, të raporteve me shtetet e tjera, të kompetencave të organeve, është shumë, shumë më e mire se sa kushtetuta aktuale”, thotë Kelmendi për arbëresh.info.

Sipas tij, ajo kushtetutë do të bënte Kosovën shtet sovran në kuptim e plotë të fjalës dhe nuk do të pengonte efikasitetin e saj duke ia ngarkuar disa norma juridike.

“Kushtetuta e Kaçanikut është e liruar nga normat që e bënë shtetin e Kosovës jo funksional. Shembull normat jo funksionale në kuvend, normat jo funksionale me nxjerrjen e qëndrimeve të cilës i është dhënë minoritetit serbe, normat jo funksionale sa i përket Asociacionit, normat jo funksionale sa i përket komunave serbe më një numër të vogël të banorëve dhe natyrisht shteti do të kishte të drejtë në mënyrë sovrane të vendoste për të ardhmen e vet, në fushën e mbrojtjes, në fushën e rendit, të sigurisë, ekonomisë, etj”, shtoi Kelmendi.

Ndryshe, Kosova ka shpallë pavarësinë me ndihmën e shteteve perëndimore me 17 shkurt 2018. Kurse, miratimi i kushtetutës aktuale është bërë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 10 prill të të njëjtit vit.

Të ngjashme