Abdixhiku i reagon matur Hazirit: Nuk heq asnjë fjalë deklaratës time kundër Thaçit e Qeverisë

14:24 | 1 Korrik 2018
Arbresh.info

Deputeti, Lumir Abdixhiku i ka reaguar matur Nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha një ditë më parë se deputetët e partisë së tij s’duhet të kërkojnë ndihmë te partitë tjera për ta rrëzuar Qeverinë e ndalur Presidentin në dialogun me Serbinë.

Pavarësisht kësaj deklarate, Abdixhiku ka thënë se reagimit të tij nuk ia heq asnjë fjalë.

“Nuk i heq e nuk i shtoj asnjë fjalë deklaratës sime. E përsëris, Hashim Thaçi nuk e ka mbështetjen tonë; Qeveria duhet rrëzuar; e LDK si partia më e madhe në vend duhet dhe do të jetë në krye të dy proceseve politike”, shprehet Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se për këto çështje nuk komunikon në publik. Thotë se në publik flet vetëm për kundërshtarët e tij.

“Unë me bashkëpartiakët e mi komunikoj – per te mire ose jo -vetëm brenda partisë; jo në publik. Në publik flas vetëm me kundërshtarët politik”, tha Abdixhiku të dielën për Gëazetën Express.

Të shtunën mbrëma, Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, e ka kritikuar bashkëpartiakun e tij, Lumir Abdixhikun, duke i thënë që të mos kërkojë ndihmë nga partitë e tjera por nga partia e vetë, për ta ndalur Thaçin nga udhëheqja e bisedimeve dhe rrezuar qeverinë.

Ndërkohë, deputeti i LDK’së u kishte bërë ftesë VV’së e PSD’së për ta rrëzuar bashkë Qeverinë e ndalur Presidentin.

“LDK i bën thirrje partive opozitare që të parandalojnë bashkë dëmin që i vjen Kosovës nga një përfaqesim i tillë – jokoncesual, të papërgatitur e në shumë qëndrime edhe naiv”, kishte thënë Abdizhiku.

Sidoqoftë përplasje mes gjenaratave ndërmjet anëtarëve të LDK-së nuk kanë munguar as në të kaluarën. Agim Veliu i pati thënë publikisht Driton Selmanajt të mos u bëjë ftesa njërëzve që nuk kanë frymë të njejtë me LDK-në.

Lumir Abdixhiku dhe Driton Selmanaj i janë bashkuar LDK-së në vitin 2017, gjatë zgjedhjeve nacionale. Të dy për herë të parë në politikë kanë arritur që të bëhen deputetë dhe të fitojnë simpatinë e elektoratit të LDK-së. Abdixhiku dhe Selmanaj shpesh herë janë bërë lajm nëpër media për shkak të tonit që kanë treguar ndaj Kadri Veselit në Kuvendin e Kosovës.

Prurjet e reja në këtë parti janë përkrahur fuqishëm nga kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme