Google ADS

Gjakderdhjet gjatë shtatzënisë, shkaktarët dhe rreziqet

11:48 | 1 Korrik 2018
Arbresh.info

Gjakderdhjet gjatë shtatzënisë janë një dukuri relativisht e shpeshtë, por ato mund të jenë edhe shenjë e rrezikshme dhe ju gjithmonë duhet të kontaktoni mjekun kurdo që kjo ndodh.

Shkaktarët e gjakderdhjes në shtatzëninë e hershme

Gjatë 12 javëve të para të shtatzënisë, gjakderdhja vaginale mund të jetë shenjë e abortit ose shtatzënisë ektopike. Megjithatë, shumë femra të cilat kanë rrjedhje gjaku në këtë fazë të shtatzënisë, arrijnë të kenë shtatzëni normale dhe të suksesshme.

Aborti

Nëse shtatzënia përfundon para javës së 24-të të shtatzënisë, atëherë quhet abort. Abortet janë shumë të shpeshta në tre muajt e parë të shtatzënisë dhe rreth një në pesë shtatzëni të konfirmuara përfundon në këtë mënyrë.

Shumë aborte të hershme (para javës së 14-të) ndodhin për shkak se diçka ka shkuar keq për beben. Mund të ketë edhe shkaktarë të tjerë të abortit, si hormonet ose problemet me mpiksjen e gjakut.
Shumica e aborteve ndodhin gjatë 12 javëve të para (tre muajve) të shtatzënisë dhe, fatkeqësisht, shumica e tyre nuk mund të parandalohen.

Shtatzënia ektipike

Shtatzënitë ektopike, kur një vezë e fertilizuar implantohet jashtë mitrës (për shembull në tubat e Fallopit), mund të shkaktojë gjakderdhje, por është dukuri më e rrallë se abortet.

Kjo është një sëmundje e rrezikshme pasi veza e fertilizuar nuk mund të zhvillohet si duhet jashtë mitrës. Veza duhet të largohet – kjo mund të realizohet përmes një operacioni ose me barna.

Shkaktarët e gjakderdhjes në shtatzëninë e vonshme

* Ndryshimet cervikale – mund të çojnë në gjakderdhje, veçanërisht pas seksit.

* Infeksionet vaginale.

* “Shou” – kur copëza të mukusit që kanë qenë në cerviks gjatë shtatzënisë dalin duke sinjalizuar se cerviksi po bëhet i gatshëm për fillimin e lindjes. Kjo mund të ndodhë disa ditë para se kontraksionet të fillojnë ose gjatë vetë procesit të lindjes.

* Shkëputja e placentës – një gjendje serioze kur placenta fillon të largohet nga murri i mitrës.

* Placenta e lëshuar (e njohur si placenta previa) – kur placenta ngjitet në pjesën e poshtme të mitrës, afër ose duke mbuluar cerviksit. Gjakderdhja nga placenta previa mund të jetë shumë e rëndë dhe mund ta rrezikojë foshnjën.

* Vasa praevia – është një sëmundje e rrallë kur enët e gjakut të bebes kalojnë nëpër membranat që mbulojnë cerviksin. Kur shpërthen uji, enët e gjakut mund të shqyhen dhe shkaktojnë gjakderdhje vaginale. Foshnja mund ta humbasë sasi të mëdha gjaku që është kërcënuese për jetën. Vasa previa duhet të dyshohet nëse ka gjakderdhje dhe nëse ritmi i rrahjeve të zemrës së fetusit ndryshon përnjëherë pas shpërthimit të membranave.

Gjetja e shkaktarit të gjakderdhjes gjatë shtatzënisë

Për të gjetur se çfarë e ka shkaktuar rrjedhjen e gjakut ju mund të duhet të bëni një ekzaminim vaginal ose të pelvikut (legenit), skanim me ultrazë ose test të gjakut për të kontrolluar nivelet e hormoneve.

Mjeku juaj po ashtu do t’ju pyesë për simptomat, si ngërçet, dhimbjet dhe marramendjet. Disa herë shkaku i gjakderdhjeve nuk mund të gjendet. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme