Google ADS

Eliminohen Messi e Argjentina, Franca në çerekfinale të Kampionatit Botëror

17:53 | 30 Qershor 2018
Arbresh Info

Argjentina e Lionel Messit është eliminuar pasditen e sotme (e shtunë) dhe Franca është bërë skuadra e parë që ka arritur kualifikimin në çerekfinale të Kampionatit Botëror “Rusia 2018”.

Skuadra e Didier Deschamps regjistroi fitore me rezultat 4 me 3 kundër skuadrës nga Amerika e Jugut në takimin e zhvilluar në stadiumin Kazan Arena në kuadër të ndeshjeve eliminuese të xhiros së 1/8-së, shkruan portali arbresh.info.

Antoine Griezmann realizoi golin e epërsisë për 1 me 0 pas vetëm 13′ minutave lojë. Sulmuesi i Atletico Madridit u tregua i saktë nga pika e bardhë, por Angel Di Maria me një supergol nga një distancë prej 30 metrave barazoi shifrat për 1 me 1 katër minuta pa përfunduar koha e rregullt e pjesës së parë.

Argjentina kaloi madje në avantazh duke shënuar për 1 me 2 përmes Gabriel Mercados (48’), i cili devijoi goditjen nga superylli Lionel Messi. Sidoqoftë, Benjamin Pavard barazoi gjithçka vetëm nëntë minuta më vonë duke shënuar një gol të bukur nga distanca për 2 me 2.

Sulmuesi i Paris Saint Germain, Kylian Mbappe tregoi klasin e tij duke shkatërruar më pas shpresat e Argjentinës me dy gola të shpejta brenda katër minutave (64’) (68′), ndonëse Sergio Aguero arriti të ngushtojë epërsinë duke realizuar për 4 me 3 në minutën e dytë të kohës shtesë.

19-vjeçari u bë lojtari i parë adoleshent që ka shënuar të paktën dy herë në një Kampionat Botëror që nga Pele kundër Suedisë në vitin 1958.

Rivali i Francë në çerekfinale do të jetë fituesi i takimit mbrëmjen e sotme mes Uruguait dhe Portugalisë./arbresh.info/

Shikoni të gjitha golat e realizuara këtë ndeshje:

 

Të ngjashme