Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn në një artikull të publikuar sot në të përditshmen “Panorama” theksojnë se Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt Bashkimit Europian.
“Këtë javë, vizioni ynë për një Europë vërtet të bashkuar vjen një hap më pranë. Shtetet anëtare të BE-së përcaktuan një udhë të qartë drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019. Kjo është në sajë të përparimit mbresëlënës që Shqipëria arriti gjatë vitit të kaluar, jo vetëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, por edhe për të përmirësuar jetën e përditshme të popullit të saj”, shkruajnë dy zyrtarët e lartë europianë.
“Ne dëshirojmë të përgëzojmë popullin shqiptar dhe institucionet shqiptare për rezultatet e arritura. Një kapitull i ri i punës sonë të përbashkët fillon sot: Komisioni Europian nisi menjëherë përgatitjet dhe ne kemi besim se ju do të ruani gjithashtu të njëjtën vendosmëri mbresëlënëse dhe punë të madhe.
Progresi në fushën e Reformës në Drejtësi është i dukshëm dhe tashmë ka bërë një ndryshim të prekshëm dhe pozitiv. Sistemi i Vetingut, i cili është në thelb të Reformës në Drejtësi dhe përfshin rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po prodhon rezultatet e para. Kjo kërkonte guxim politik dhe unitet në vend. Ndryshimet kushtetuese u miratuan njëzëri për të mundësuar një paketë reformash gjyqësore në vitin 2016.
Ky nuk është thjesht një transformim ligjor, por edhe shoqëror. Ju keni mjete të reja për ta bërë udhëheqjen tuaj të përgjegjshme në fushën e drejtësisë, por edhe në fusha të tjera. Sa më shumë që Shqipëria të bëjë për nevojat e kërkesat e popullit të saj, aq më shumë do të përparojë drejt anëtarësimit në BE.
Ju keni bërë një zgjedhje të ndërgjegjshme: më shumë se 80 përqind e shqiptarëve e mbështesin projektin evropian. Dhe ne kemi vërtet nevojë për entuziazmin dhe përkushtimin tuaj ndaj projektit europian. Tani është koha që Shqipëria të mbështetet në progresin e bërë dhe të vazhdojë të punojë me të njëjtën vendosmëri, veçanërisht për reformën gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna gjatë vitit që vjen është një investim në integrimin tuaj në BE.
Çdo hap ka rëndësi. Ecja në këtë rrugë jo vetëm që ju lejon të hapni negociatat, por edhe ta bëni këtë në mënyrën më efektive të mundshme. Në çastin kur negociatat të hapen zyrtarisht, ju do të jeni tashmë duke vrapuar. Ky do të jetë një vit pune për BE-në gjithashtu. Komisioni tashmë ka filluar punën e nevojshme përgatitore drejt qershorit 2019, duke përfshirë, ndër të tjera, kuadrin e ardhshëm negociues. Gjithkush ka një rol për të luajtur në këtë proces historik.
Të gjitha grupet politike dhe partitë, autoritetet vendore dhe shoqëria civile duhet të punojnë së bashku më shumë se kurrë për t’u përgatitur për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe për të marrë përgjegjësinë e plotë të këtij procesi. Dyert e Bashkimit tonë janë të hapura. Rruga juaj drejt Bashkimit Europian është bërë e pakthyeshme.
Tani varet nga ju që të ecni përpara në këtë rrugë drejt një të ardhmeje të prosperitetit dhe sigurisë së përbashkët. Është vendimi i lirë dhe sovran i popullit tuaj, i askujt tjetër. Ëndrra jonë e përbashkët për një kontinent europian të bashkuar është në duart tuaja”, theksojnë në shkrimin e tyre Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Osmani takohet me ministren kanadeze, diskutojnë për situatë...
Jashari takohet me shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosu...
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër