Këshilltari i Erdoganit tregon se çfarë e bën të suksesshëm presidentin turk

16:42 | 29 Qershor 2018
A. B.

Ibrahim Kalin, njeriu më i afërt i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, këshilltar dhe zëdhënës i tij, e shpjegoi fitoren e radhës në zgjedhjet e së dielës të liderit turk si tregues të një virtyti tij: njerëzit, populli, janë në rend të parë te ai.

Sipas tij, në strategjinë gjeniale të Erdoganit e cila e nxjerr atë triumfator në shumë aspekte, janë dhe fakte socio-politike të shoqërisë turke që shumë të huajt nuk i kuptojnë.

Ai tha se Erdogan punoi fort për të rritur standardin e jetesës së miliona e familjeve me të ardhura të mesme të ulëta, duke investuar në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, rrugë, aeroporte dhe institucionet publike.

“Ai është një kampion i politikave të drejtësisë shoqërore që punojnë për të mirën e bashkësive urbane dhe rurale në të gjithë vendin”, tha Kalin, përcjell Dita.

Por mbi të gjitha, njeriu i afërt i tij në Presidencë, vlerësoi dhe politikat e Erdoganit me pakicat shoqërore.

“Sekreti i suksesit të Erdoganit nuk është vetëm në politikën e shërbimit”.

“Ai u hapi rrugën anëtarët e identiteteve të ndryshme në vend, duke përfshirë klerikë të ndryshëm, kurdë, alevi dhe pakicave jo-muslimane si hebrenj, grekë, armenë, asirianë dhe të tjerë, të cilët janë të përfaqësuar në skenën shoqërore dhe politike”.

“Ndalimi ndaj kurdëve u shfuqizua dhe ata, sikurse dhe grupet e tjera etnike, mund të shprehen lirshëm. Rruga drejt lëvizjes shoqërore vertikale dhe horizontale është e hapur për ta”.

“Erdogan ka përfshirë një numër të madh të qytetarëve kurdë në radhët e lëvizjes së tij. Ai krijoi një marrëdhënie të fortë me njerëz nga të gjitha sferat e shoqërisë turke, duke përfshirë kurdët. Ai bëri një dallim të qartë midis terroriste të organizatës PKK dhe kurdëve të thjeshtë, duke i liruar ata nga shtypja dhe presioni i rrjetit terrorist që kujdeset më shumë për ekzistencën e vet sesa për çështjet reale të popullit kurd”, tha Kalin.

Ky i fundit vlerësoi gjithashtu politikën e jashtme të presidentit turk, duke thënë se ai zgjeroi perspektivat ndërkombëtare të Turqisë në rajone të ndryshme si Afrika, Azia dhe Amerika Latine.

“Përpjekjet e Turqisë për të ndihmuar popujt e shtypur të botës, vuri në dukje Kalin, kanë bërë jehonë në nivel global dhe kanë marrë mbështetjen e qindra miliona njerëzve kudo, në botën islame dhe më tej. Thirrja e Erdoganit për drejtësi globale me moton ‘Bota është më e madhe se pesë’, ka goditur një nga të metat themelore të rendit aktual botëror”.

“Prandaj nuk është për t’u habitur se pse njerëzit janë duke festuar fitoren e tij zgjedhore, jo vetëm në Turqi, por edhe në pjesë të tjera të botës”, përfundoi Kalin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme