Google ADS

“Blindohet” Elbasani, tender për vendosjen e tre mijë kamera në të gjithë qytetin

12:04 | 29 Qershor 2018
Arbresh.info

Qazim Sejdini, kryebashkiaku i Elbasanit ka zhvilluar një tender për pajisjen me kamera në të gjithë qytetin, duke e kthyer në një “Big Brother” të madh.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, i cili ka si objekt “pajisje me kamera sigurie e objekteve arsimore dhe institucioneve publike në varësi të Bashkisë Elbasan dhe mirëmbajta e tyre”.

Në tender thuhet se janë parashikuar të vendosen mbi 3000 kamera, të cilat mund të filmojnë dhe fotografojnë të gjithë jetën e qytetit.

Fondi për këtë tender është plot 1.3 miliardë lekë të vjetra (më shumë se 1 milionë euro). Burimi i këtyre parave është nga të ardhurat e bashkisë. Megjithatë, bërja e këtij tenderi përkon me informacione të shumta të institucioneve ligj-zbatuese se kryetari i bashkisë Qazim Sejdini, është kërcënuar me jetë para pak kohësh.

Burimet tregojnë se Sejdini lëviz i shoqëruar nga bodyguard dhe automjete të blinduara, megjithëse ai e ka mohuar këtë gjë. Por, insistimi për të bërë pikërisht këtë tender duket se lidhur shumë ngushtë me sigurinë e tij.

“Ka një mbrojtje të veçantë pasi ka pasur një kërcënim”, – ka thënë para pak kohësh Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke konfirmuar se ndaj Sejdinit ka patur disa kërcënime.

Në dokumentet e tenderit thuhet se “sistemi mund të marrë maksimumin 20 alarmë me fotografi në sekondë”. Madje, sistemi mund të ruajë deri në 5 milionë të dhëna për dy vjet. Shifrat e sistemit vijojnë se kamerat mund të ngarkojnë një regjistër “heat map” në orë dhe ruajtjen e 250.000 të dhënat e “heat map” për dy vjet.

Pra, në gjithë qytetin do vendoset sistem kamerash, të cilat janë të lidhura me një qendër, nga e cila do monitorohen të gjitha lëvizjet e dyshimta në qytet. Duket se Sejdini po tenton të kontrollojë të gjithë qytetin pas informacioneve të shumta, apo edhe për shkak se në qytet janë shtuar bandat, të cilat kanë lidhje me pushtetin aktual.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme