Kandidatja 28-vjeçare mund veteranin demokrat, tronditet elita e partisë

00:47 | 29 Qershor 2018
Trina Galanxhi

28-vjeçarja Alexandria Ocasio-Cortez tronditi Partinë Demokratike duke mposhtur në zgjedhjet paraprake, ose ato brenda partisë, një nga përfaqësuesit e Nju Jorkut në dhomën e ulët të Kongresit.

Ocasio-Cortez fitoi ndaj veteranit 56-vjeçar, Joe Crowley, i cili shërbente prej 20 vitesh në Kongres. Crowley nuk kishte pasur sfidues brenda partisë prej 14 vitesh dhe emri i tij lakohej si udhëheqësi i ardhshëm, apo në postin e kreut të dhomës së ulët të Kongresit.

Sigurisht që, të gjitha këtyre parashikimeve dhe karrierës së Crowleyt i dha fund Alexandria Ocasio-Cortez, e cila e mposhti bindshëm duke marrë 57.7% të votave.

Ocasio-Cortez, me origjinë nga Porto Riko, dikur punoi si vullnetare në fushatën e Berni Sanders dhe është një socialdemokrate si ai, diçka që ka shqetësuar jo pak elitën demokrate, që sheh fuqinë e saj të lëkundet.

Ocasio-Cortez zhvilloi një fushatë progresive dhe shumë të varfër krahasuar me rivalin e saj. Ndërsa Crowley merrte miliona në donacione dhe mbështetjen e senatorëve demokratë, Ocasio-Cortez pati disa qindra mijëra dollarë dhe dilte vet në rrugë për të ngjitur posterat e saj.

Fitorja e 28-vjeçares, që vjen nga një minoritet në SHBA, ka sjellë kritika të ashpra për senatoret femra të Partisë Demokratike, që nuk e mbështetën atë aspak në rrugën e saj. Megjithatë, Ocasio-Cortez ia doli që të fitojë dhe do të përballet me rivalin republikan, Anthony Pappas, për vendin në dhomën e ulët në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.

Nëse fiton, ajo do të jetë gruaja më e re në historinë amerikane që zgjidhet në Kongres.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme