Koordinatori për Kulturë Rini Sport ka vizituar Luginën e Preshevës në ditën kur Ministrit serb të Mbrojtjes i është ndaluar hyrja në Kosovë. Hoti i cili ditë më parë nxiti edhe reagimin e Vuçiq kur përmendi Sanxhakun si pjesë të këmbimeve eventuale teritoriale bashkë më shqiptarët pozoi edhe duke e bërë shqiponjën.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, ka zhvilluar sot vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës, me ftesë të Kryetarit të Bujanocit Shaip Kamberi.
Në takim me kryetarin Kamberi, Hoti për herë të parë shpalosi idenë e programit nacional për garën, duke theksuar se e zgjodhi Luginën e Preshevës, rrjedhimisht Komunën e Bujanocit, për të treguar se kjo pjesë është hapësirë e pandashme e programit nacional për kulturë, rini dhe sport.
Po ashtu, Hoti tha se në kuadër të programit ekzistojnë projektet që do të përfshijnë të gjitha shkollat në Luginën e Preshevës. Ai premtoi se në një kohë shumë të shkurtër, do t’ia ofrojë programin komunave të Luginës së Preshevës dhe se do të nënshkruajnë edhe memorandum bashkëpunimi si në nivelin komunal, po ashtu edhe në nivelin e përfaqësimit të Këshillit Nacional Shqiptar.
Ai shpalosi përmasat e programit nacional për garën, e cila do të jetë e hapur për të konkurruar edhe me shtetet fqinje si Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Nga ana e tij, kryetari Kamberi falënderoi Hotin dhe bashkëpunëtorët e tij për vizitën duke thënë se ndjehet i privilegjuar që një projekt kaq i rëndësishëm u shpalos në Bujanoc. Përmes Hotit, ai përcolli kërkesat e tij për Qeverinë e Kosovës.
“Çështja më e rëndësishme dhe urgjente është çështja e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë për këtë problem, qoftë edhe nëpërmjet marrëveshjeve në kuadër të dialogut në Bruksel. Shembulli më i mirë është krijimi e një institucioni ndërmjetësues për njohjen e diplomave siç ishte SPARK. Asnjë student shqiptar nuk mund të punësohet në institucione në Luginë apo Serbi për shkak të mosnjohjes së diplomave që lëshohen nga Republika e Kosovës. Po ashtu, i bëjmë thirrje qeverisë që të ndajë subvencione për sektorin e bujqësisë”, tha Kamberi.
Hoti u prit edhe nga Kryetari Këshillit Nacional Shqiptar, Shukri Ymeri dhe stafi i tij. Ymeri tha se vizita e delegacionit nga Kosova është shumë emocionale, e veçantë dhe vëllazërore.
“Kemi nevojë për ndihmë nga insititucionet e Republikës së Kosovës në shumë fusha. Problemi kryesor në arsim është mungesa e teksteve në gjuhën shqipe, prandaj kërkojmë që të gjindet një zgjidhje në këtë drejtim”, potencoi Ymeri.
Hoti realizoi vizitë edhe në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, ku zhvilloi takim me Drejtorin Jetmir Ismaili. Atij i ofroi mbështetjen e nevojshme në aspektin kulturor. “Ndihem i nderuar të ju pres në takim sepse kjo është vizita e parë që na bëhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Realisht ne nuk kemi nevojë për mjete financiare, aq sa kemi nevojë për aktivitete kulturore nga Kosova siç janë shfaqjet apo festivalet e ndryshme”, u shpreh Ismaili.
Në fund, Hoti u prit përzemërsisht edhe nga të rinjtë e Organizatës Joqeveritare “Shpresa” në një bashkëbisedim të hapur. Në kuadër të Programit të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport Hoti shpalosi edhe projektin për kreativitetin kulturor.
Pasi i falënderoi për vizitën duke e cilësuar si shpresëdhënëse, kryetari i organizatës Nevzad Lutfiu, shprehu shqetësimin e tyre për numrin e vogël të të pranuarve nga Lugina e Preshevës në Universitetet Publike në Kosovë.
“Kërkojmë nga ju që t’ua përcillni kryeministrit dhe organeve kompetente kërkesën për të na mundësuar punën praktike në insitucione të Kosovës dhe mundësinë për aftësim profesiona”, thanë të rinjtë.
Koordinatori Hoti ishte i shoqëruar edhe nga Drejtori i Departamentit të Rinisë në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Xhevat Bajrami dhe përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Serbi, Xhelal Shaqiri.
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën
Pacolli sot mban takim humanitar në Gjermani
Parashikimi i motit për ditën e somte