Google ADS

Dashuria dhe familja e dytë sekrete e François Mitterandit: Gruaja në hije dhe goja e kyçur

19:24 | 28 Qershor 2018
Arbresh.info

Zëri i Anne Pingeot, në regjistrimet e një gazetari dhe historiani J. N. Jeanney dhe transmetuar nga Radio-France ishte i shtruar, ashtu siç tregohen gjithë historitë e dashurisë, të një dashurie që djeg ende. 73 vjeçare, ajo donte t’i bënte të njohura letrat e dashurisë të të dashurit të saj François Mitterand, që pas vdekjes të saj mos “të luhej” me ato. Ajo kishte pranuar atë që ishte e papranueshme për një grua, të qëndronte në hije, e panjohur, e dashura e një njeriu politik që do të bëhej më pas president i Republikës.

Luan Rama

“Kjo histori filloi në provincë. Ishte një provincë tepër reaksionare, e djathtë dhe e pazhvilluar… Pa lojën e golfit, kjo histori dashurie s’do të kishte ekzistuar… isha 14 vjeç kur e pashë për herë të parë kur erdhi në shtëpinë tonë. Figura e tij më impresionoi. Një mbresë e pashlyeshme. Një pasion lindi… 32 vjet dashuri intensive. François kishte një shprehje gjeniale: ‘Nuk ka dashuri të përjetshme veç kur ajo është problematike. Mos i besoni asaj dashurie ku gjithçka shkon mirë. Kur ka një situatë të vështirë dhe kur kjo gjendje është gjithnjë e vështirë, dashuria nuk shuhet…”

Kështu kujton Anne, vajza e një prej shtatë mareshalëve të Francës pas Luftës së Parë Botërore. Gruaja që dikur merrej me historinë e artit në Musée d’Orsay, tashmë në pension, gruaja në hije, flet duke risjellë kohën e prushit… dhe shpalos letrat e atij që ishte i dashuri i saj i vetëm dhe i përjetshëm… 1218 letra të dërguara nëpër ditë, muaj, vite, pusulla që drithërojnë ende, gjer nga fundi i jetës së tij.

Çfarë dashurie! Dashuri shpirti e mençurie, duke e nderuar njëkohësisht dashurinë e tij të parë, gruan e fëmijëve të tij, bashkëpunëtoren në politikë, Danielle Mitterad…

Shtëpia botuese Gallimard boton dy libra për këtë histori: “Lettres de Mitterand – 1962-1995” dhe “Journal pour Anne – 1964-1970”. Një histori dashurie… shumë për të dashur vërtet një njeri, shumë dhe pak…

Në librin që kam botuar për François Mitterandin “Dhe zotërit vdesin gjithashtu” është dhe ky kapitull mbi “gruan në hije”…

Mazarina dhe Anne: Me Anne Pingeot, Miterani ishte njohur që në vitet ‘60, në Hossengor, kur ajo ishte 19-vjeçare ndërsa ai 27 vjet më i madh se ajo. Ai ishte në atë kohë mik i babait të saj, Pierre Pingeot, një industrialist i pasur i Clermont-Ferrand dhe bashkë luanin golf. Ndërkohë, Anne Pingeot ndiqte shkollën e njohur të Luvrit, “Ecole du Louvre”. Takimet e tyre ishin të fshehta, pasi Miterani ishte i martuar me Danielen. Atë kohë ai kishte dy djem, Gilbert dhe Jean-Christophe. Kjo lidhje e skandalizoi familjen konservatore të Pingeotit, por dashuria e tyre ishte e fortë dhe zgjati vite me radhë. Pas studimeve mbi historinë e artit, Anne Pingeot hyri si specialiste në “Muse d’Orsay” dhe merrej me historinë e skulpturave dhe të monumenteve pariziane. Bisedat rreth kulturës dhe artit e lidhnin akoma më shumë me Fransuan. Më pas ajo do të botonte disa libra kritikë arti si Skulpturat e Degas apo Kopshtet e Tuilerisë (Les jardins de Tuileries). Më dhjetor të vitit 1974 u lind vajza e tyre Mazarinë, por gjithçka ishte e fshehtë. Daniela ishte në dijeni dhe atëherë shpërtheu zënka e tyre e parë rreth kësaj lidhje. Daniela i kishte thënë: “Ose unë, ose ajo”… por për Miteranin kjo ishte e vështirë. Ai e donte Annen por po kështu dhe Danielën. Nuk mund të divorcohej. Në formë përkëdhelie, Anne e quante Miteranin ‘Cechino’.

Në fillimin e viteve ’80 dhe veçanërisht pas zgjedhjes së Miteranit president, raportet e tyre ndryshuan. Ato u bënë akoma më të fshehta, por dhe më të ngushta. Ditën që Miterani ishte zgjedhur president, Anne i kishte thënë një shoqes së saj: “Kjo është dita më e keqe e jetës time!” Tashmë Anne do të hynte në klandestinitet të plotë. Në Paris, Anne kishte një apartament në Rue Jacob, ku Miterani shkonte dhe e takonte kur ende nuk ishte zgjedhur president. Por tashmë, Miterani duhej të përkujdesej dhe për të. Oficeri i sigurimit të Presidencës, Christian Prouteau e kujtonte mirë ditën kur mori vesh për vajzën ilegjitime të Miteranit. Habia e tij ishte e madhe: “Kur mora funksionin dhe bisedova me presidentin për sigurinë e tij, ai më foli për bijtë e tij, gruan, Danielën dhe pastaj më tha: ‘Për të tjerat bisedo me Rousselet’. Shkova menjëherë ta takoj atë dhe e pyeta: ‘Po të tjerat?’… Ai u vu në siklet dhe pastaj shtoi: ‘Ah, për të tjerat… shko bisedo me Grossouvre’. Shkova dhe takova Grossouvre, i cili më mësoi ekzistencën e një familje të dytë”. Prouteau kishte shkuar të takonte Annen në apartamentin e saj të thjeshtë. “Duhej të flisja me të për sigurinë e saj dhe të së bijës. Mezi më la të hyja në shtëpi. Ishte tepër e ftohtë dhe me mirësjellje më tha se nuk do të ndryshonte asgjë nga jeta e saj”…

Kështu, Anne vazhdonte të shkonte me biçikletë në muzun e Orsay-it. Miteranit tashmë i duhej të jetonte me dy familje njëherësh: me atë zyrtare si dhe me atë që jetonte në “hije”. François de Grossouvre, një nga ndihmësit dhe miqtë e tij intimë, u bë kujdestari i afërt i kësaj familjeje, e cila u vendos pikërisht në një kat më sipër ku banonte ai, në një aneks të Pallatit Elize, në 11, “quai Branly”. Ai si të thuash vigjëlonte mbi to. Siç do të kujtonte vite më vonë sekretari i Përgjithshëm i Elizesë dhe një nga ndihmësit më besnik të presidentit, Jean Louis Bianco, “shpesh ai kishte në bagazhin e makinës kukulla fëmijësh, ndërkohë që fëmijët e tij ishin të rritur”. Miqtë e tij të ngushtë, Georges Dayan dhe André Rousselet, e dinin se ishin kukullat e Mazarinës. Në vitin 1981, kur drejtuesi i fushatës së tij elektorale Glavany, pikasi kukullat në bagazhin e makinës, Miterani i bëri shenjë me gisht të mos fliste për to. Glavany e kuptoi se s’duhej folur.

“Kur u emërova sekretar i Përgjithshëm i Presidencës”, kujton Bianco, “njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Miteranit erdhi dhe më tha: ‘Duhet ta dish që presidenti ka një vajzë që quhet Mazarinë. Por, presidenti asnjëherë nuk më foli për këtë, edhe pse e dinte që isha në dijeni të kësaj historie. Ndodhte qëkur isha në zyrë me të, ai të fliste me Mazarinën apo nënën e saj. Unë doja të tërhiqesha, meqë ishte një bisedë private, por ai më bënte shenjë: ‘Jo qëndroni! Ishte një mënyrë për të më thënë: E di që ju jeni në dijeni dhe se ju s’do të flisni për këtë!’ Në fakt vetëm dhjetë vjet pas lindjes së saj, Miterani e njohu Mazarinën si vajzë të tij, sipas një akti noterial të formuluar më 25 janar 1984, me kusht që ajo të mbajë emrin Mitterand vetëm pas vdekjes së tij”.

Anne ishte një tip i heshtur dhe asnjëherë nuk pranoi të shfaqej apo për më tepër të martohej me dikë tjetër. Ajo iu përkushtua vajzës. I mjaftonte ajo dashuri e fshehtë, e heshtur, romaneske dhe mjaft e thellë, pavarësisht se ai i mungonte shumë, asaj dhe vajzës së tij. Një ditë drejtori i Liceut e thirri atë dhe i tha: “Vajza juaj është një nxënëse e shkëlqyer, por ajo është mitomane. Një shoku i saj, kur e pyeti se ç’punë i bënte i ati, mori përgjigjen: ‘President i Republikës’”. Drejtori i liceut u habit kur të njëjtën gjë ia pohoi edhe ajo.

Siç kujton Mazarina në librin e saj “Gojë e kyçur”, “Për një kohë të gjatë nuk e dija mirë ortografinë e emrit të tij. Në të shkruar, si të gjithë, hezitoja midis një ‘r’ apo dy. Kisha turp dhe nuk doja ta pyesja nënën time dhe aq më tepër atë sesi shkruhej emri M-i-t-t-e-r-a-n-d.”

Mazarina kishte një adhurim të veçantë për të atin. Që 14 vjeç ajo shkonte në mitingjet pro Miteranit, ku veshur me një “tee-shirt” ku shkruhej “gjenerata Miteran”. Ajo ndante traktet: “Votoni Miteran!” Më 1988, në një miting në aeroportin Bourget, Mazarina ishte në podium kur erdhi presidenti i Republikës. Sapo e pikasi, ai shkoi ta përqafonte me nxitim. Sigurisht askush aty nuk mund ta mendonte se ishte vajza e tij. Miterani e ruante me fshehtësi jetën e tij të dytë, atë në hije, madje as vëllait të tij nuk i tregoi për vite me radhë. Vetëm disa ditë pasi u bë president, Miteran do t’i thoshte mikut të tij të ngushtë Andre Rousselet: “Daniela e di këtë histori”. Në fakt, që më 1992, gazetari C. Serillon e kishte pyetur Miteranin rreth ekzistencës së një vajze klandestine e të paligjshme. Miterani i ishte përgjigjur: “Po, kam një vajzë natyrale. E pastaj…?” “Në çdo ditëlindjen time që afrohej”, shkruan Mazarinë, “ai më thoshte se më donte akoma më shumë. Kisha frikë se duke u rritur ai do më donte më pak. Marrëdhënia jonë ishte tepër e veçantë. Sa më shumë unë rritesha dhe bëhesha vetvetja, aq më shumë ai më njihte si bijën e tij…”

Kur Mazarina hyri në “Lyce Henry IV”, mjaft i njohur ndër shkollat pariziane, u desh të ndërhynte me takt dhe Presidenca. Herë-herë, fshehurazi, Miterani e ftonte të bijën e tij nëpër restorantet pariziane apo në shtëpitë e miqve të tij jashtë Parisit, në jug të Francës apo akoma më larg. Ai e merrte shpesh dhe në udhëtimet e tij në Spanjë, Egjipt, Venecie… Mazarinë zgjodhi rrugën letrare dhe fitoi konkursin për “Ecole Normale Superieure”, një nga shkollat më me emër të Parisit. Ai ndihej krenar për të. Që më 1988, për çdo Krishtlindje, ai shkonte në Egjipt, ku i kalonte festat me Mazarinën dhe të ëmën e saj… Në Francë zakonisht ruhen sekretet private të njerëzve politike. Por, erdhi një ditë që edhe ky rit ndryshoi, si në anën tjetër të Atlantikut. Gazetari Philippe Alexandre ishte i pari që e bëri të njohur atë publikisht, duke e thyer këtë tabu. Ishte vërtet një moment i vështirë për shëndetin e Miteranit. Misteri për Mazarinën tashmë nuk ekzistonte më. Në fakt, Daniela e dinte me kohë qenien e kësaj familjeje të dytë, por asnjëherë nuk ishte takuar me Anne Pingeot.

“Lindja e Mazarinës nuk ishte për mua as një zbulim dhe as një dramë. Unë e pranova që në fillim atë…”, do të kujtonte më vonë Daniele Miteran. “ Lidhjet tona u ndërthuren me një lumturi që duhej ta ndanim bashkë, me dhimbje të mëdha, me frikë dhe entusiazëm, duke projektuar të ardhmen tonë me shumë dashuri”.

Që më parë, Miterani ishte informuar nga revista Paris Match se do të botohej shkrimi, i cili do të zbulonte më së fundi të fshehtën e ekzistencës së bijës së tij. Por, ai nuk bëri asgjë që të mund ta ndalonte këtë botim. Kur e lexoi shkrimin ai kishte thënë: “C’est tout de même une belle histoire” (“Megjithatë është një histori e bukur”). Ishte 10 nëntori i vitit 1994. E përjavshmja franceze Paris-Match u kishte zbuluar më së fundi të vërtetën francezëve, përmes reportazhit me titull: “Miteran dhe vajza e tij. Tregimi tronditës i një jete të dyzuar, dashuri atërore dhe kurajo e admirueshme e presidentit”. Po në këtë revistë ishte botuar dhe intervista e Philippe Alexandre, që tregon historinë e kësaj marrëdhënie. Atë ditë, gruaja e Miteranit ishte në spital për një operacion në zemër. Miterani i tha motrës së saj: “Shkoi pranë… Ajo e di këtë histori, por nuk dua të tronditet nga shkrimi i revistës”.

“Në fakt francezët nuk reaguan keq”, do t’i thoshte ai mikut të tij Giesbert, ato ditë, “madje më shumë ata ishin të lumtur. E çuditshme, apo jo?!” Kishte muaj që Miterani nuk e fshihte më lidhjen e tij me Mazarinën. Ai e ndjente se edhe pak do të jetonte dhe donte t’i vinte gjërat në vendin e tyre. Që më tetor të vitit 1994, pra një muaj më parë, me rastin e vizitës së presidentit të Japonisë, ai e kishte ftuar dhe Mazarinën në darkën e shtruar në pallatin e Elizesë. Francezët në fillim u çuditën me lajmin sensacional. Disave kjo iu duk skandaloze, por Miterani ishte mjaftë i qetë. Me së fundi ai ndjeu kënaqësi që dhe Mazarina mund të thoshte me krenari: “Jam vajza e Miteranit!”

Ai ishte mjaft krenar për të. Aq më shumë që ajo vajzë brune, i ngjante si dy pika uji. Që nga ajo ditë, Mazarina dhe Miteran tashmë nuk i ndaheshin njëri-tjetrit. Megjithëse mjaftë i lodhur, presidenti donte të përjetonte sa më shumë gëzimin që i jepte ajo. Dilnin shëtitje, shkonin së bashku në kinema, kalonin drekat apo darkat në restorantet që atij i pëlqenin. “Është e mrekullueshme”, u thoshte ai miqve të afërm, “është e talentuar për filozofi. E dini? Asaj i pëlqen të shkruajë. Jam i sigurt që ajo një ditë do të bëhet dikush!”

Një ditë, muaj më vonë, fotografët e kishin pikasur Mazarinën me të dashurin e saj të quajtur Ali, djalin e ambasadorit të Marokut në Suedi, i cili ishte me studime në Paris. Tashmë ajo ishte 21 vjeç, në vitin e dytë të “Ecole Normale Superieure” dhe e apasionuar pas filozofisë. Më 14 tetor 1995, ata shkuan të shohin pjesën e teatrit të shkruar nga miku i tij Robert Badinter. Një dramë mbi jetën e dramaturgut Oscar Wilde në burg, të titulluar C.3.3, çka përfaqësonte matrikullën e këtij shkrimtari dhe poeti të madh të burgosur për homoseksualitet.

Takimet e tyre u bënë gjithnjë e më shumë të shpeshta. “Ajo është drita e ditëve të mija”, i kishte thënë një ditë Miterani një miku të afërt, “jam krenar sepse ajo, jo vetëm është inteligjente, por dhe e bukur”. Bashkë bisedonin shpesh për letërsinë, filozofinë, jetën, gjithçka. “Një nga librat që i pëlqente më shumë”, do të kujtonte më pas Mazarina për të atin e saj, “ishte ‘Vëllezërit Karamazov’, por se cili nga vëllezërit i pëlqente më shumë, kjo është një çështje tjetër. Besoj se më shumë i pëlqente personazhi i Aljoshës. Por, ajo ç’ka ai vlerësonte mbi të gjitha ishte thellësia e përshkrimit të botës njerëzore nga Dostojevski. Mendoj se gjithnjë ka patur në jetën e tij një dimension romanesk. Nuk di nëse ai vet kishte një vizion letrar për jetën e tij… Por, besoj se jetën ai e shihte dhe nga një prizëm letrar. Në fakt ai është një personazh, me të cilin mund të merreshin shumë shkrimtarë… Është një francez në kuptimin më të pastërt të fjalës. Madje dhe në kuptimin gjeografik. Një personazh i mbushur me pasione për provincën, pasione pariziane, me jetë të ndryshme, i integruar në jetën borgjeze, por dhe me një liri të madhe shpirtërore. Tek ai ka shumë paradokse, ç’ka përbëjnë në të njëjtën kohë dhe pasurinë e tij”.

Në muajt e fundit të jetës së tij, kur ai banonte tashmë, në avenynë Fréderic-Le-Play përgjatë Champs de Mars, një ditë, duke iu ngjitur shkallëve, Daniela Miteran pikëtakoi Mazarinën, që sapo ishte ndarë me të atin e saj. Ishte pikëtakimi i tyre i parë, përballë, sy më sy, dy fytyra që heshtën, po ku vështrimet e tyre thanë shumë. Atë mëngjes që Miterani do të vdiste, në krevatin e tij, të parët njerëz të afërm që erdhën për ta takuar për herë të fundit ishin Anne dhe Mazarinë. Më pas do të vinin dhe pjesëtarët e tjerë të familjes Miteran: Daniela, bijtë, të afërmit e familjes, miqtë… Miterani kështu sikur kishte dashur të shlyente atë pjesë të fajit që e kishte mbajtur larg dhe në fshehtësi fëmijën e tij. A nuk do të shkruante për këtë ndjesi Mazarina në librin e saj “Gojë e kyçur”? “Dua të shoh sërish fytyrën tënde baba, që të flasësh për mua dhe të ndjesh krenari përtej turpit tënd, të ndjej buzëqeshjen tënde të heshtur. Dua që unë, fëmija i fshehtë, të jem krenare, dua të më adhurosh dhe dashurinë tënde ta nxjerr si një lloj arme duke mos patur frikë që kjo lloj dashurie të më përjashtojë dhe të më bëjë ndryshe nga të tjerët. Dua që të jesh këtu, pranë meje, duke përbuzur ata që më ngacmojnë dhe më bëjnë të vuaj…”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme