Google ADS

Basha: Negociatat mund të shtyhen edhe vitin tjetër

14:15 | 28 Qershor 2018
Arbresh.info

Në përgjigje të kryeministrit Rama për çështjen e negociatave, kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria nuk ka marrë një datë dhe se ato mund të shtyhen nëse deri vitin tjetër nuk do të plotësohen kushtet.

Ai u shpreh se në Evropë nuk mund të shkohet duke mashtruar.

“Mashtrues, hajdut dhe i lidhur me krimin si asnjë në këto 28 vite. Nuk dorëzohemi derisa të ngrihemi në nivelin e sfidës dhe të marrim fatet tona në duar. Deri atëherë ky do vazhdojë të pëllasë, të shesë sapunin për djathtë, të shesë mjerimin që rritet dita-ditës, pasigurinë e rrugëve dhe shkollave, mjerimin e shëndetësisë, arsimin në ditën më të zezë si arritje speciale të Rilindjes.

Sot dhe nesër është mbledhje KE, askush përveç KE nuk mund të hapë negociatat. Leqet e gënjeshtrave s’i mbajnë më dhe e la sallën. Ne kemi nevojë për ndihmën e Europës, ndaj hapja e negociatave do të ndihmonte, do sillte më shumë mbikëqyrje e monitorim, që mos të kemi më ministra si Fatmir Xhafaj, apo Polici Shteti, ku gjysma është në kërkim për trafik droge, ministra që vjedhin me kamionë.

Kemi nevojë për më shumë Europë. Rama nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë. Në Europë nuk shkohet duke gënjyer e mashtruar, duke kërcënuar, por duke përqafuar të vërtetën.

Negociatat janë shtyrë me një vit dhe nëse kushtet nuk plotësohen do shtyhet sërish. Dje mblodhi deputetët dhe ministrat, edhe këta kur u thua ‘fluturon gomari, fluturon thonë’. Por mund të përfundojmë si Koreja e Veriut. Ndaj Esat, Haxhiqamil dhe Hamza kemi vetëm një”, tha Basha.

Ndër të tjera ai u shpreh se duhet një bashkim kombëtar për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.

“Duhet një bashkim kombëtar, por do të nisë kur e keqja të jetë mundur dhe larguar. BE nuk do i hapë negociatat sa kohë që krimi dhe droga janë produkte të kësaj qeverie. Vendimi i fundit për teatrin kombëtar është grabitje. Duhet të përqafojmë vlerat europiane.

Kjo është një ftesë për edhe ata socialistë të ndershëm. Kjo është një ditë e zezë për shqiptarët ftoj shqiptarët që të çarë renë e zezë të Ramës dhe Rilindjes. Po të jemi të gjithë bashkë kundër të keqes nuk ka asnjë rrugë tjetër veç largimit. I bëj një thirrje brezit të ri, mos të ulin kokën dhe të pranojë fatin e zi të Rilindjes. Të ngrihen në këmbë dhe të protestojnë për të drejtat e tyre të patjetërsueshme. Alternativa nuk është largimi i rinisë, por atyre që po e trajtojnë Shqipërinë si çifligun e tyre personal. Le ta nisim betejën sot dhe të mos e ndalim deri kur të largojmë Ramën”, tha Basha.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme