Google ADS

Qeveria refuzon raportin për hartimin e statutit të Asociacionit

20:35 | 27 Qershor 2018
Arbresh.info

Raporti i dorëzuar në qeveri nga Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe është larg çdo pritjeje të Qeverisë së Kosovës.
Madje, ky raport, i dorëzuar vetëm në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik, është kthyer mbrapsht nga Zyra e Kryeministrit, për t’u përkthyer edhe në gjuhë të tjera zyrtare, raporton KTV.

Avni Arifi, që është kryesues i Komitetit Zbatues për hartimin e statutit të Asociacionit, thotë se përmbajtjet e 6 takimeve të Ekipit Menaxhues janë dëshpëruese. Ndër të tjera, sipas tij, ka synime që sistemi shëndetësor në veri të vihet nën kontroll të Asociacionit.

Ndërkohë, Këshilli i Bashkimit Evropian, përmes konkluzioneve të prezantuara për Kosovën, kërkonin që Asociacioni të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe marrëveshjen nga gushti i 2015-ës.

Këtë kërkesë të BE-së, deputetja e LDK-së Vjosa Osmani e sheh shqetësuese, pasi sipas saj, me këtë po kërkohet ndryshim i Kushtetutës së Kosovës dhe po anashkalohet Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës mohon se ka një kërkesë të tillë. Përsërisin se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca shtesë, pasi i njëjti do të dërgohet për vlerësim në Kushtetuese.

Televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, nëse ka një kërkesë të tillë për ndryshimin e Kushtetutës për themelimin e Asociacionit por nuk kanë kthyer përgjigje.

Edhe Lista Serbe ka kërkuar ndryshim të Kushtetutës për Asociacionin, por kjo është kundërshtuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme