Zëdhënësi i presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, tha se suksesi zgjedhor i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan duhet të kërkohet në veprat e tij konsekuente dhe të suksesshme përgjatë 16 viteve në qeveri, duke shtuar se suksesi i tij buron nga vendosja e popullit në plan të parë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një artikull me titullin “Pse fitoi Erdoğan?” për gazetën Daily Sabah, Kalın tha se përgjatë 16 viteve në qeveri, Erdoğan është përpjekur të rrisë standardet e jetesës së miliona familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ka mundësuar përfaqësim e pjesëve të ndryshme të shoqërisë në jetën sociale dhe politike dhe u ka zgjatur dorën popujve të shtypur në botë.
Kalın thekson se votuesit turq shkuan në zgjedhje më 24 qershor për presidencën dhe parlamentin dhe se niveli i pjesëmarrjes ishte i lartë në mbi 80 për qind, ndërkohë që presidenti Erdoğan fitoi 52,5 përqind të votave për të arritur rizgjedhjen në raundin e parë.
Ai shkruan se Erdoğan arriti të fitojë dhjetë milionë vota më shumë nga kundërshtari i tij më i afërt dhe se Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) siguroi 42,5 për qind të votave për të ardhur sërish në qeveri, ndërsa shton se Aleanca Popullore e formuar nga AK Parti dhe Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP) morën një shumicë komode në parlament.
“Rezultatet tregojnë besimin e vazhdueshëm të popullit ndaj Erdoğanit dhe partisë së tij. Po aq e rëndësishme është mbështetja që i jepet sistemit të ri presidencial. Kështu, Erdoğan është zgjedhur si presidenti i parë i sistemit të ri. Në garën e ashpër zgjedhore, Erdoğan zhvilloi një fushatë efektive dhe mbajti popullaritetin e tij para popullit. Partitë e opozitës arritën të marrin nivel të caktuar votash, por nuk arritën të fitojnë mjaft mbështetje për të sfiduar qëndrimin e fortë të Erdoğanit në politikën turke”, ka shkruar Kalın.
Zëdhënësi presidencial shton në artikullin e tij se duke qenë në pushtet për 16 vjet dhe me 13 fitore zgjedhore dhe një referendum, Erdoğan kryesoi ndaj rivalëve të tij më të afërt me më shumë se 20 për qind.
“Nuk ka asnjë figurë tjetër politike në botë kudo që mund të arrijë një sukses të tillë. Kjo flet jo vetëm për gjenin e tij politik, por edhe për realitetet sociopolitike të Turqisë, të cilat shumë vëzhgues të jashtëm nuk i kuptojnë”, shton Kalın.
Sipas Kalın, Erdoğan ka arritur ta ruajë popullaritetin në saje të veprave të tij dhe partisë së tij nga viti 2002.
“Shumica dërrmuese e votuesve e përgëzojnë udhëheqjen e Erdoğanit dhe pohojnë se ai me sukses ka zgjidhur problemet e ekonomisë turke, ka krijuar një sistem politik më elastik dhe gjithëpërfshirës dhe i ka bërë njerëzit të përfitojnë më shumë në fushat e ekonomisë, politikës dhe mobilizimit social”, shkruan Kalın.
“Sekreti i suksesit të Erdoğanit buron nga vendosja e popullit në plan të parë… Erdoğan ka punuar pa u lodhur për të rritur nivelin e standardit jetësor të miliona familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe ka investuar në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, rrugë, aeroporte dhe strehim publik”, shton Kalın.
Duke thënë se sekreti i suksesit të presidentit turk nuk qëndron vetëm në politikën e shërbimeve, Kalın tha se Erdoğan i ka hapur rrugën përfaqësimit të identiteteve të ndryshme në sferën sociale dhe politike.
“Ai ka mundësuar që fetarët, kurdët, alevitë dhe pakicat jo-muslimane si hebrenjtë, komuniteti ortodoks grek, armenët dhe asirianët, të mund të shprehen”, ka shkruar zëdhënësi presidencial.
Kalın duke theksuar se ndalesat mbi gjuhën kurde janë hequr, tha se me këtë ata kanë mundur të shprehin veten në mënyrë më të lirë si komunitetet e tjera etnike.
Ai tha se Erdoğan në radhët e lëvizjes së tij ka ofruar hapësirë edhe shumë qytetarëve kurdë, ndërsa ka krijuar lidhje të forta me njerëz nga të gjitha sferët e jetës, duke përfshirë këtu edhe kurdët.
Kalın tha se Erdoğan gjithashtu duke bërë një dallim të qartë mes PKK-së dhe qytetarëve kurdë, i ka çliruar ata nga shtypja e këtij rrjeti terrorist.
Zëdhënësi presidencial më tutje në artikullin e tij tregon se presidenti Erdoğan në politikën e jashtme ka zgjeruar paraqitjen e Turqisë në arenën ndërkombëtare.
“Politikën e jashtme nuk e shikoi si një lojë ku njëri fiton e tjetri humb. Anëtarësimi i Turqisë në NATO, kandidimi i saj në BE nuk bie ndesh me përgjegjësitë e Turqisë në pjesët e tjera të botës. Thirrja e Erdoğanit për një drejtësi globale ‘Bota është më e madhe se 5’ mund të ketë shqetësuar disa qendra të fuqisë por trajton një nga gabimet themelore të rendit aktual global”, tha Kalın, duke theksuar se nuk është për t’u habitur se është festuar fitorja e Erdoğanit në shumë vend si Ballkani, Azia Qendrore dhe vende të tjera.
“Partitë opozitare duhet të punojnë më shumë”
Kalın potencoi se opozita duhet të fillojë të marrë përgjegjësi për mangësitë e veta dhe tha se gjatë 16 viteve të fundit, Erdoğan ka promovuar mbikëqyrjen civile mbi ushtrinë dhe ka dobësuar kujdestarët e vetëvendosur të shtetit turk.
Ai tha se në këtë pikë, mënyra e vetme për të ushtruar pushtetin politik në Turqi është të fitohet në zgjedhje.
“Disa në mediat perëndimore vepruan si aktivistë politikë që promovonin kandidatët e opozitës në vend të raportimit të fakteve në terren. Si më parë, parashikimet e tyre për rënien e Erdoğanit rezultuan përsëri të rreme. Mbulimi i tyre selektiv kishte një axhendë të qartë të manipulimit të lexuesve dhe shikuesve, por asnjë nga këto taktika nuk funksionoi. Kjo ngre pyetje serioze për kredibilitetin e tyre. Më keq, ata vazhdojnë të mos arrijnë të kuptojnë dinamikën shoqërore dhe politike të Turqisë. Këto zgjedhje duhet të jenë një mësim tjetër për ta.” u shpreh Kalin.
Zëdhënësi i presidencës Kalın theksoi se derisa Turqia hyn në një epokë të re me sistemin presidencial, ajo mbetet një ishull i stabilitetit dhe prosperitetit në një rajon të trazuar.
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...