Google ADS

Gjermania pro anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE, kërkon reflektim nga Holanda e Franca

13:10 | 26 Qershor 2018
Arbresh.info

Gjermania i ka bërë thirrje të martën Francës dhe Holandës që të lejojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë me qëllim për të ndihmuar në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, pasi diplomatët e BE-së dështuan të pajtohen për kushtet e bisedimeve.

Parisi dhe Haga janë deklaruar kundër përpjekjeve të gjera të BE-së për të hapur negociatat, me Francën që thotë se blloku ka nevojë të reformojë institucionet e veta para pranimit të anëtarëve të rinj, raporton Reuters.

Por shtetet tjera, të kryesuara nga Berlini, kanë bërë përpjekje të mëdha për të sjellë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së për të forcuar ndikimin e bllokut në rajon përballë një Rusie kategorike.

“Qeveria gjermane është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në rrugën e tyre përpara drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ministri gjerman i BE-së, Michael Roth, pas arritjes në takimin me homologët e tij në Luksemburg.

“Jemi të gatshëm të japim dritën e gjelbër. Do të nxisja miqtë tanë në Holandë dhe Francë të na bashkohen”, tha ai para gazetarëve, duke thënë se stabiliteti është më i rëndësishmi për Ballkanin.

Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia shpresojnë të anëtarësohen në BE.

Derisa bisedimet për anëtarësim me Serbinë dhe Malin e Zi janë duke u zhvilluar, Shqipëria, e cila është veçse pjesë e NATO-s, dhe Maqedonia, e cila ka zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, kanë shpresuar se do të marrin lejen për negociata të martën.

Por ambasadorët e BE-së që po përgatisnin takimin të hënën mbrëma dështuan të hartojnë një marrëveshje për t’u nënshkruar nga ministrat.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i mbështetur nga Holanda, ka thënë se blloku duhet të vetë-reformohet para se të pranojë anëtarë të rinj, ndonëse diplomatët e BE-së thonë se Parisi është i brengosur kryesisht për nxitjen e ndjenjës anti-migrim në shtëpi.

Shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Austrinë e cila do të kryesojë presidencën rotative të BE-së nga korriku, dëshirojnë t’i dërgojnë një sinjal Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor se rruga drejt anëtarësimit në BE është ende e hapur.

“Ka pasur shumë progres. Kjo vetëm thekson qëndrimin tonë se Ballkani Perëndimor duhet të ketë një perspektivë të qartë të anëtarësimit”, ka thënë ministri austriak i BE-së, Gernot Bluemel.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme