Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se partia e saj konsideron se shkuarja e presidentit Hashim Thaçi në Bruksel për bisedime është goditje e madhe për Kosovën.
“Këtë e bazojmë në faktin se ky person ka faj jashtëzakonisht të madh në raport me të gjitha konkluzionet e arritura në dialog. Thaçi nuk është figurë unifikuese, por përçarëse. Atje ka shkuar pa legjitimitet, ai s’ka as kredibilitet e as kompetencë”, tha Haxhiu në Interaktiv të KTV-së.
“Kur ka nisur procesi i dialogut para 6 vjetësh, ka nisur si proces teknik, e që përfundoi si proces politik dhe këtu Kosova ishte më shumë temë sesa që ishte palë. Sepse edhe temat atje caktoheshin nga Serbia e cila shtynte agjendat e saja. Kosova nuk mundi të caktonte parakushte, e as tema, siç është çështja e luftës, viktimat, të vrarët, dëmet, viktimat e dhunës seksuale, pastaj çështja e shqiptarëve në Luginë, tema që s’janë shtyrë përpara. U tha se ky dialog do të çojë në njohjen e Kosovës nga Serbia, por kjo e asgjë tjetër s’ka ndodhur. Përkundrazi, Serbia vazhdon të ketë qasje armiqësore ndaj Kosovës. Serbët e Kosovës nuk janë integruar pasi asnjëherë s’ka pasur dialog me ta, por vetëm me Serbinë”, shtoi ajo, raporton Koha.net.
“Lista Serbe është dorë e zgjatur e Serbisë në institucionet e Kosovës që erdhi nga dialogu në Bruksel. E kemi pastaj fusnotën, që u tha se do të shkrihet, por ende e kemi. I kemi marrëveshjet e drejtësisë që nuk zbatohen. Pastaj fondi paralel për veriun, që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Është edhe kodi telefonik të cilin ende nuk e kemi, për të përfunduar me ‘Zajednicën’. Ne nuk mund të flasim për një fazë finale pa e pasur një vlerësim të këtij procesi të dialogut”, deklaroi deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.
Ajo thotë se deklaratat e presidentit Thaçi pas takimit me Vuçiqin në Bruksel janë skandaloze.
“Ai tenton që përmes gjuhës që përdor ta amnistojë Serbinë për krimet në Kosovë thuajse Kosova i ka borxh Serbisë. Por është e kundërta. Thaçi provon që Vuçiqin ta paraqes si lider të paqes. Pra, janë skandaloze këto deklarata dhe qasja që ka ky person ndaj dialogut. Ai shkon në takime atje pa asnjë dokument. Kjo flet shumë. Ky është një proces i dialogut pa transparencë, pa profesionalizëm, pa llogaridhënie”, th Haxhiu.
Deputetja e VV-së thotë se komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës s’e përkrahu platformën e bisedimeve të prezantuar kohë më parë, dhe kështu Qeveria e tërhoqi atë.
“Nëse mund të quhet platformë ajo, sepse ishte një dokument skandaloz. Por, ky person [Thaçi] po del të jetë më i fuqishëm se krejt shteti i Kosovës. Ai shkon në bisedime pa asnjë mandat nga Kuvendi”, tha Haxhiu.
“Hashim Thaçi s’mund ta përfaqësojë Kosovën në Bruksel, por vetëm vetveten”, tha ajo.
“Haradinaj s’e ka shkruar platformën, por vetë Hashim Thaçi. Ne kemi një qeveri të pakicës e cila e ka shumë të vështirë të çojë përpara ndonjë proces”, shtoi ajo.
Haxhiu foli edhe për një seancë të jashtëzakonshme që pritet ta thërrasë opozita e në të cilën do të diskutohet për dialogun me Serbinë.
“Ne jemi kundër krejt procesit të dialogut, jo vetëm kundër Hashim Thaçit. E kemi dëgjuar Hashim Thaçin që flet për koncesione të cilat janë të dëmshme për Republikën e Kosovës. Ne nuk e kemi besimin se ky person mund t’i sjellë ndonjë të mirë vendit. Si natyrë ky person dëshiron të dominojë në skenën politike. Ai s’e ka dert fare nëse e rrezikon Republikën e Kosovës dhe dëshiron që këtë proces ty shfrytëzojë krejtësisht për vete. Në seancën e jashtëzakonshme do të flasim për kornizën e dialogut. Na duhen 40 nënshkrime, por është e rëndësishme që Kuvendi ta thotë fjalën e tij”, u shpreh deputetja Haxhiu.
“Ne nuk do të bëheshim pjesë e një ekipi çfarë e ka ftuar Thaçi për bisedime. Serbisë i duhet ky proces sepse kësisoj anëtarësohet ne BE dhe tenton që përmes këtij procesi ta jetësojë ‘Zajednicën’ apo bosnjëzimin e Kosovës. Kjo është shumë shqetësuese dhe ne nuk mund të vazhdojmë kësisoj pa pasur një vlerësim për marrëveshjen e ‘Zajednicës’, pa biseduar edhe me partitë tjera, me Akademinë e Shkencave, me shoqërinë civile… Nuk mund të negociojmë për çështje të brendshme të Kosovës me Serbinë. Si koncesion që mund të bëjë Kosova është të mos e jetësojë ‘Zajednicën’. E vetmja zgjidhje është që ky vend të shkojë në zgjedhje. Kemi kërkuar edhe dorëheqjen e zotit Haradinaj, çdo ditë ka nga një skandal. Një qeveri e këtillë, me një president të këtillë, Kosova e ka të garantuar dështimin. Duhet të ketë bashkëpunim me opozitën e edhe me deputetë të pozitës që kanë interes”, tha më tej Haxhiu.
“Nëse qeveria aktuale e din se e ka legjitimitetin, duhet të votëbesohet. Nëse qeveria nuk votëbesohet në Kuvend, duhet të ketë një reagim opozitar, duhet të mblidhen nënshkrime. Nuk po shoh angazhim të LDK-së e PSD-së në këtë drejtim”, tha ajo.
Vendimi për rritje pagash, përveç se është konflikt interesi, është në kundërshtim edhe me ligjin për pagat, tha Haxhiu, pasi që ka implikime buxhetore deri në 8 milionë, të cilat, sipas saj, mund të merren ose nga kopshtet shkollore, ose nga rezervat e shtetit.
“Do të bëjmë kallëzim penal ndaj Ramush Haradinajt dhe ndaj ministrave që kanë marrë pjesë në votim”, tha ajo.
“Ministri Bedri Hamza i ka kthyer përgjigje Kushtetueses duke i thënë se është e paraparë rritja e pagave brenda buxhetit të këtij viti dhe nuk ka implikime të mëdha buxhetore. E tash del kundër këtij vendimi”, tha më tej Haxhiu, duke shtuar se duhet të bëhet nivelizim i pagave.
Për anëtarët e KQZ-së dhe mos-veprimin e Presidentit Thaçi rreth kësaj çështjeje, Haxhiu tha se presidenti është dashur të merr vendime për emërimin e anëtarëve të KQZ-së bazuar në rezultatet e zgjedhjeve.
“Thaçi e ka vonuar vazhdimisht këtë, si duket s’ka dashur ta pranojë se VV-së i takojnë dy anëtarë në KQZ. Qëllimi i tij ka qenë që të bllokojë emërimin e dy anëtarëve si nga VV ashtu edhe nga LDK. Ai ka ftuar vetëm nga një anëtar nga dy partitë. Tash ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese se ai emërohen anëtarët e KZQ-së në bazë të grupeve parlamentare apo partive politike dhe rezultateve zgjedhore. Dihet se kjo bëhet në bazë të rezultateve zgjedhore. Neve na takojnë dy anëtarë, edhe LDK-së e edhe PAN-it. Por, Hashim Thaçi po dëshiron që PAN-it t’ua lejojë 3, neve të na lë 1, LDK-së 1 dhe t’ia lejojë PSD-së së dalë nga ne 1 anëtar”, theksoi ajo.
“Nuk kam ndonjë informacion, nuk e di nëse ka komunikuar me dikë. Për VV-në, secila votë kundër kësaj qeverie është e rëndësishme. Sa më pak deputetë që i mbesin kësaj qeveria, është e rëndësishme, jo për VV-në, por për Kosovën”, tha ajo, duke komentuar lajmet se deputeti Labinot Tahiri mund t’i bashkohet VV-së.
Për PSD-në, apo grupin e deputetëve që dolën nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhiu thotë se ata po tentojnë të dëmtojnë VV-në e të përfitojnë vetë.
“Është e qartë se që nga momenti që kanë dalë nga VV këta individë, tentojnë që ta dëmtojnë Vetëvendosjen e të përfitojnë për vete në aspektin elektoral. Besoj se veprimet e tyre janë të ulëta por edhe të papranueshme për ne. S’e kuptoj se ku e marrin energjinë që të merren me VV-në kur e kemi një qeveri të pakicës. Edhe dërgimi i një personi nga PSD në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë është i paligjshëm”, u shpreh ajo.
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, tha se fondi Vetëvendosjes bazuar në rezultatin zgjedhor që u ndahet partive nga KQZ-ja, është vetëm i kësaj partie dhe nuk i takon fare PSD-së./koha.net/
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë