Google ADS

Deputetët nuk dinë se çfarë bisedoi Thaçi në Bruksel

14:15 | 25 Qershor 2018
Arbresh.info

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shkuar jashtëligjshëm në Bruksel për tu takuar me homologun e tij serbe, Aleksandër Vuçiq.

Kështu vlerësojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare.

Ata thonë se i pari i vendit nuk do të duhej të shkonte këtë vikend në Bruksel pa e marrë mandatin nga parlamenti.

“Është shumë gabim shkuarja e Thaçit në bisedimet e Brukselit me Serbinë pa u mandatuar prej Kuvendit”, thotë për arbëresh.info deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Sipas saj, Thaçi ka shkuar atje për interesa personale.

“Duke qenë se ne jemi Republikë Parlamentare dhe rrjedhimisht kjo është përgjegjësi e parlamentit. Ai ka shkuar në këto bisedime thjesht të përfaqëson veten e tij. Ligjërisht ai nuk e përfaqëson Republikën e Kosovës”, tha Nagavci.

Edhe deputeti tjetër nga Partia Social Demokrate mendon se i pari i vendit nuk ka bazë juridike për të biseduar me Vuçiqin në Bruksel.

“Takimi i presidentit Thaçi me presidentin e Republikës së Serbisë është një takim , i cili është bërë pa mandate dhe si president ai po e keqpërdor këtë. Ne si parti Social Demokrate kemi treguar që vendi ku duhet ndërtuar konsensusi është kuvendi. Kuvendi është ai që legjitimon dhe përkrah presidentin për ta bërë një gjë të tillë”, thotë Sejdiu për Arbëresh.info.

Qeveria e Kosovës muaj më parë kishte proceduar në Kuvend platformën për bisedimet finale me Serbinë.

Por, ajo vendosi që ta tërheq atë nga parlamenti pas kundërshtimit të fuqishëm nga ana e partive opozitare.

Sipas partive opozitare, ky dokument i ekzekutivit ishte i varfër dhe nuk paraqet se cilat janë temat që duhet të diskutohen në Bruksel me palën serbe.

Qëndrimi zyrtar i Qeverisë Haradinaj ishte se bisedimet finale me Serbinë duhet të fillojnë pas miratimit të strategjisë në Kuvend.

Andaj, deputetët opozitare thonë se presidenti ka shkuar jashtëligjshëm në Bruksel për tu takuar me homologun e tij, Vuçiq.

Deputetët nuk dinë se çfarë bisedoi Thaçi në Bruksel

Pavarësisht bazës ligjore, deputet e Kuvendit të Kosovës thonë se ata nuk dinë se çfarë ka biseduar presidenti në bisedimet e fundit në Bruksel.

“Askush nuk din kurrgjë se çfarë u bisedua dje”, thotë deputeti i PDK-së, Nait Hasani.

Për këtë ai thotë se bisedimet me Serbinë duhet të mbikëqyren nga parlamenti.

“Bisedimet me Serbinë duhet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, pjesë e bisedimeve në parlament, pjesë e debatit në këtë institucion, dhe nëse nuk bëhet një gjë e tillë, atëherë nuk duhet të lejohet asnjë veprimtari tjetër. Prandaj, Kuvendi I Kosovës është organi duhet t’i mbikëqyr dhe duhet t’i raportohet për vendimmarrje”, thotë Haliti për “Arbëresh.info.

Edhe deputeti Dardan Sejdiu thotë se nuk di asgjë se çfarë u bisedua në takimin e fundit.

“Ne nuk dimë asgjë se çfarë u bisedua atje, përveç asaj që kemi parë në media. Kjo mendoj unë se është e paktë dhe e mangët”, shtoi Sejdiu.

Nga ana tjetër, presidenti Thaçi pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropain, Federika Mogherini dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq të kenë debatuar probleme të cilat janë shekullore ndërmjet dy vendeve.

“Realisht ka qenë më i vështirë sesa që po flas dhe më i rëndë por të gjithë duhet kuptuar që këto janë probleme një shekulli të grumbulluara prandaj unë nuk jam naiv të mendoj se do të gjejmë zgjidhje magjike të menjëhershme për të ardhmen”, ka thënë Thaçi para gazetarëve.

Por, i pari i vendit nuk ka treguar se për cilat tema konkretisht kanë biseduar.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia që tetë vite kanë filluar negociatat për arritjen e një pajtimi. Gjatë këtyre viteve, Kosova ka nënshkruar disa marrëveshje, siç është ajo për menaxhimin e kufijve, marrëveshjen për fusnotën dhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të ngjashme