Google ADS

Franca nuk e ka “mendjen” te Shqipëria, vendimin e deklaron në samit

01:01 | 25 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Franca, një nga tre vendet skeptike të Bashkimit Evropian, për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë, do të deklarojë qëndrimin e saj në samitin e liderëve të unionit, në 28 qershor.

Ndërsa Gjermania dhe Holanda janë përfshirë në një proces diskutimi dhe vendimmarrje brenda parlamentit, apo edhe qeverive të tyre, ku ka edhe kushte siç është rasti i Bundestagut gjerman, qe ka përgatitur edhe një projekt rezolute për Shqipërinë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Parisin, ku kjo nuk është çështje.

Burimet i thanë Top Channel se hapja e negociatave të Shqipërisë është diskutuar vetëm ditën e vizitës së kryeministrit Edi Rama në Paris, kur takoi presidentin Emannuel Macron për të kërkuar mbështetjen e këtij vendi të rëndësishëm të BE-së.

Qëndrimi i Francës është i ndryshëm nga Gjermani dhe Holanda dhe shqetësimi i Macron është për të ardhmen e Bashkimit Europian, se sa tek vendet që aspirojnë integrimin në unionin me shumë probleme të brendshme.

“Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Europën sa herë që kemi menduar ta zgjerojmë. Unë nuk mendoj se u bëjmë nder vendeve kandidate apo unionit, duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla dhe vazhdon të lëvizë pa pushim drejt zgjerimit më të madh. Unë jam në favor të ankorimit të Ballkanit në Evropë dhe të ecjes drejt Evropës. Por mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes dhe ashpërsi. Nuk jam në favor të zgjerimit para se të kemi të gjithë sigurinë e nevojshme dhe para se të bëjmë një reformë reale në mënyrë që zgjerimi të jetë në të mirë të Bashkimit Evropian. Duhet të kemi një dialog të përforcuar dhe strategjik me vendet e Ballkanit, të ndjekim reformat që janë ndërmarrë dhe t’i inkurajojmë pa u treguar hipokrit”, pati deklaruar Macron në Samitin e Sofjes, më 17 Maj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme