Google ADS

Anglia shkatërron Panaman, fiton 6 – 1

16:09 | 24 Qershor 2018
Arbresh.info

Harry Kane me het-trik e ka frymëzuar Anglinë drejt fitores më të lartë në Kupën e Botës në Rusi duke ia siguruar kualifikimin në mesin e 16 skuadrave më të mira pas fitores 6-1 ndaj Panamasë të dielën në Nizhny Novgorod.

Anglezët nisen takimin furishëm duke hapur serinë e golave tetë minuta brenda ndeshjes, kur John Stones shënoi me kokë pas një rivënieje nga këndi, raporton Gazeta Express.

Sulmuesi Harry Kane ngriti epërsinë në 2-0 duke qenë i saktë nga penalltia në minutën e 22-të.

Dominimin e madh të Anglisë e konfirmoi me një super gol Jassie Lingard, i cili pas një aksioni të rrjedhshëm gjeti këndin e lartë të portierit kundërshtar me një goditje të bukur nga rreth 20 metra largësi.

Anglezët pastaj shënuan edhe dy herë në pesë minutat e fundit të pjesës së parë me John Stones dhe Harry Kane, i cili përsëri shënoi në anën e njëjtë të portierit nga penalltia.

Sulmuesit të Tottenhamit iu deshën pak më shumë se 15 minuta brenda pjesës së dytë për ta kompletuar het-trikun. Ai shënoi pasi pasimi i Lingard u devijua nga këmba e tij dhe përfundoi brenda portës kundërshtare.

Kane tani ka 5 gola, duke lënë pas Cristiano Ronaldon dhe Romelu Lukakun me nga 4.

Golin e vetëm dhe të parin deri më tani në Botëror Panamaja e shënoi rreth 10 minuta para fundit, kur Baloy realizoi nga rreth gjashtë metra largësi.

Çuditërisht ky gol i ka gëzuar tej mase tifozët e Panamasë, e cila tashmë edhe zyrtarisht eliminohet nga Kupa e Botës.

Ndërkohë, Anglia e siguron kualifikimin në fazën e eliminimit direkt dhe do të luftojë për vendin e parë në grup kundër Belgjikës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme