Rrëfimi i djalit që u mbajt peng nga babai me sëmundje mendore

08:50 | 24 Qershor 2018
A. B.

Babai që kishte probleme mendore kërcënoi dhe kyçi në shtëpi djalin 17-vjeçar. Ngjarja ndodhi dje në lagjen “30- vjetori” në Berat dhe, fatmirësisht, u neutralizua në një kohë të shpejtë nga Policia, pasi kjo e fundit u sinjalizua nga fqinjët e shqetësuar.

Xh.D., për disa orë në shtëpinë e tij dhunonte psikologjikisht djalin 17-vjeçar, A.D. dhe e kyçi në banesë duke mos e lejuar të dilte. 43-vjeçari mbante peng djalin e tij nën kërcënim.

Ai kishte kujdestarinë e djalit pas divorcit vite më parë nga bashkëshortja e tij, e cila është larguar nga banesa. Burri mësohet se ditën e djeshme, në kushtet e rëndesës së gjendjes për shkak se kishte probleme me shëndetin mendor, mbante djalin të izoluar brenda dhe për këtë është njoftuar Policia.

Pas denoncimit nga fqinjët e shqetësuar, uniformat blu dhe forca të Zjarrfikëses, kanë shkuar në apartamentin ku jetonte burri dhe kanë arritur të nxjerrin djalin, fatmirësisht, pa pasoja për shëndetin e tij.

Më pas, janë dashur disa momente negocimi, pasi 43-vjeçari nuk pranonte të vetëdorëzohej.

“A.D gjithashtu kundërshtoi me forcë punonjësit e policisë për tju shmangur shoqërimit, duke i goditur me sopatë e sende të forta, për pasojë u dëmtuan lehtë dy efektivë policie”- njofton policia.

Burime nga Policia e Beratit bënë të ditur se kanë arritur të neutralizojnë më pas edhe autorin të cilin e shoqëruan me autoambulancë drejt spitalit për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij mendore.

Blutë nuk konfirmuan nëse 43-vjeçari do të arrestohet apo nëse ai do të shtrohet në spital për shkak të kësaj gjendjeje.

Ndërkaq, adoleshenti është marrë në pyetje nga ku ka rikonfirmuar se së fundmi shëndeti mendor i të atit ishte në përkeqësim dhe se ditën e djeshme pas një debati mes tyre, ai e kishte mbajtur peng, duke mos e lejuar që të dilte jashtë e madje e kërcënonte.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme