Google ADS

Zgjidhja e çështjes së emrit, shpresë për rimëkëmbjen ekonomike

20:25 | 23 Qershor 2018
Arbresh.info

Ekonomia e Maqedonisë, që po kalon momente shumë të rënda për shkak të krizës politike të viteve të fundit, por edhe menaxhimit jo të mirë nga ana e institucioneve, të akuzuara për korrupsion dhe shkelje ligjore, pritet të përmirësohet pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë.

Mbyllja e këtij problemi prej më se dy dekadave e gjysmë do të zhbllokojë procesin euroatlantik, dhe kjo sipas zyrtarëve do të krijojë kushte për mëkëmbjen ekonomisë. Anëtarësimi në NATO do të kthejë sigurimin, ndërsa hapja e pritshme e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të hapë mundësinë e tërheqjes së fondeve evropiane për konsolidimin e institucioneve dhe bizneseve në vend, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev.

“Përfitimet ekonomike nga zgjidhja e këtij problemi pa dyshim se do të jenë të mëdha.. kjo do të reflektohet para se gjithash në sferën e investimeve, pasi afaristët kur shkojnë në ndonjë shtet së pari interesohen mbi gjendjen e sigurisë dhe nëse sundimi i ligjit është në nivelin e duhur. Shpresojmë se sikur te shtetet e tjera që kishin përfitime pas anëtarësimit në NATO dhe BE, ashtu edhe ne do t’i ndjejmë përftimet nga kjo marrëveshje, se do të hapen fondet evropiane, apo do të kemi qasje më të lehtë në tërheqjen e tyre”, thotë Angjushev.

Tremujorin e parë ekonomia e vendit e ka mbyllur me një rezultat shumë të dobët, me një rritje prej vetëm 0.1 për qind që paregjistruar ndonjëherë më parë. Ekspertët kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa, rritja do të jetë negative, me gjasa reale që ekonomia të futet në recesion. Por, shpresat që kjo të mos ndodhë janë rritur pas zhvillimeve intensive në këto dy muajt e fundit për zgjidhjen e kontestit të emrit, që vlerësohet si problemi kryesor për ngecjen në vend.

“Anëtarësimi në NATO definitivisht zgjidh një çështje të madhe, atë të sigurisë e që vlerësohet po ashtu siç shumë e rëndësishme për ekonominë, pasi biznesi do të ndjehet shumë i çliruar për të zgjedhur veprimtarinë ekonomike. Pra investitorët do të ndjehen shumë më të sigurt për të sjellë këtu kapitalin e tyre… vendi do të mund të sigurojë fonde të ndryshme nga Bashkimi Evropian, kuptohet përmes projekteve të studiuara mirë. Zgjidhja e këtij problemi në aspektin ekonomik do të jetë shumë frytdhënëse edhe me Greqinë, që llogaritet një ndër partnerët e mëdhenj të vendit. Porti i Selanikut nuk ka alternativë për vendin tonë, mbi 90 për qind e prodhimeve tona kalojnë përmes territorit grek dhe duke marr parasysh bllokadat e deritanishme dhe problemet tjera me zgjidhjen e problemit, biznesi do të marr frymë më lirshëm dhe kjo do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë”, thotë Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë.

Maqedonia, që nga marrja e statusit të shtetit kandidat në vitin 2005, ka pasur mundësinë e shfrytëzimit të shumë fondeve evropiane, por për shkak të mungesës së bashkëpunimit institucional shumë prej tyre janë kthyer apo janë tërhequr nga BE-ja, por në disa raste janë konstatuar edhe keqpërdorime në projekte të ndryshme infrastrukturore. Mundësitë për këto fonde rriten nëse Maqedonia marr datën për anëtarësim, por kjo sipas ekspertëve, nuk do të thotë se BE-ja jep para të gatshme pa studime të mirëfillta, pa projekte të caktuara dhe të qëndrueshme.

“Ne kalojmë në një fazë të re, në një epokë të re për Maqedoninë, pasi pas zgjidhjes së çështjes së emrit, vendi do të ketë qasje te fondet financiare, tërheqjen e tyre me interesa shumë më të leverdishme. Por, gjithsesi këto hua apo fonde nuk merren për gjëra joproduktive, por janë investime që duhet të kenë objektive të qarta për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe shërbimet ndaj qytetarëve të vendit”, thotë Fatmir Bytyqi, njohës i çështjeve ekonomike.

Bujqësia këtë vit do të ndihmohet me 15 milionë euro, ndërsa mbështetje pritet të ketë edhe për infrastrukturën, investimet kapitale, ekologjinë, konsolidimin e institucioneve, e projekte tjera./Rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme