Greva dhe protesta në rrugë po paralajmërojnë minatorët e gjigandit metalurgjik Trepça. Kjo nëse në draft-statutin e Trepçës, nuk përfshihen kërkesat e tyre që nuk janë të pakta.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku në një deklaratë për lajmi.net ka bërë të ditur disa nga kërkesat e minatorëve.
“Kena kërkuar që vend-burimet përreth minierave të futen në draft, asetet e Trepçës pasi është një elaborat ku kemi kërkuar një nen veçantë të futet aty, kemi kërkuar problemet sociale psh ligji për pensione, ligji për invalid, stazhi i punës me u numëru prej viteve 89-99, benificonet, sigurimet shëndetësore, trashëgimia familjare e pensioneve. Këto janë disa nga kërkesat”, deklaroi fillimisht Sadiku.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani kanë zhvilluar dy takime me Komisionin për Zhvillim Ekonomik.
Por ka theksuar se ka shumë gjasa që ky draft të mos miratohet fare, pasi sipas tij anëtarët e Komisionit kanë pasur shumë vërejtje.
“Po me Komisionin kemi pasur dje takim, edhe jemi në bisedime po shikojmë që kërkesat tona me gjet hapsirat tona me i shti në draft-statut, por unë sipas gjitha gjasave jam i bindur që ky draft nuk do të kalojë hiq. Qe dy takime i kemi me Komisionin, por as ata nuk janë duke e përkrahur këtë statut. Ka shumë vërejtje dhe paqartësi të mëdha rreth draftit”, thotë tutje kryetari i Sindikatës.
Sadiku ka paralajmëruar protesta masive në rrugë dhe greva nëse kërkesat nuk zbatohen.
Kurse e ka lënë të hapur mundësinë që të fillojë hartimi i një statuti të ri, nëse ky aktuali nuk ka përkrahjen e mjaftueshme.
“Nëse nuk zbatohen nuk hijnë në statut, situata do të eskalojë kjo është kërkesë e minatorëve. Që mundet ose grevë e përgjithshme ose protestë massive në grevë me dalë. Nëse stopohet ky statut atëherë duhet me prit që të kthehet në pikën zero, dhe ta bëjmë një statut të mirëfilltë që duhet me qenë edhe ne pjesë e hartimit të statutit”, theksoi Shyqyri Sadiku, për lajmi.net.
Për vërejtjet e minatorëve në këtë statut ai ka fajësuar Bordin dhe komisionin që ishte krijuar pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.
Sadiku pretendon se bordi nuk i ka përfillur kërkesat e minatorëve.
“Të përfshijmë edhe aksionet tona pasi ne jemi aksionarë, por bordi nuk i ka përfshi kërkesat. Bordi bashkë me këtë rast ata që e kanë sjellur statutin, statutin e ka punuar një komision pranë Ministrisë së Zhvillimit ekonomik. Bordi asgjë nuk ka ndërhyrë, veç e ka marrë dhe e ka kthy prapa, nuk i ka marrë parasysh kërkesat tona”, ka përfunduar Shqyri Sadiku.
Por mundësinë e protestave dhe grevës si të ngutshme e ka cilësuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Lluka ditë më parë në një deklaratë për lajmi.net kishte thënë se ndryshimet në draft tash bëhen nga Komisioni.
“E para është shumë e ngutshme nga të gjitha anët me marrë masa, pasi Statuti i Trepçës ka shkuar në Parlament, pra në Komision Parlamentar kanë vendosur me kriju një gru punues që me i shqyrtu të gjitha kërkesat në mënyrë të ngdalshme, me iu dhanë kohë. Ne si qeveri punën e Bordit e kemi përcjellur në Parlament. Tash Parlamentit i mbetet me i inkorporu ose jo ato kërkesa. Kish me qenë mirë që edhe Sindikata me prit edhe me pak, me pa çka po ndodhë, në mënyrë që të mos punojë edhe Komisioni nën presion të kërcënimeve”, ka thënë ministri Lluka.
Afati i fundit që Sindikata ia ka dhënë Komisionit është e hëna e javës së ardhshme.
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...