LDK e vendosur: Nuk e përkrahim Thaçin për dialog, situata në Vjenë ishte krejt tjetër

18:00 | 20 Qershor 2018
M. A.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi sot ka ftuar partitë opozitare që t’i bashkëngjiten ekipit të tij në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje në konferencën e mbajtur për media Thaçi ka përmendur rastin kur iu kishte bashkuar ekipit të Ibrahim Rugovës në Vjenë edhe pse ishte pjesë e opozitës.

Kërkesës së Thaçit për përkrahje në ekipin e dialogut nga partitë opozitare i është kundërpërgjigjur nënkryetari i LDK-së, Ismet Beqiri.

Në një prononcim për lajmi.net, Beqiri ka thënë se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar dhe se koha për të cilën i është bashkuar ekipit të unitetit në krye me presidentin Rugova në Vjenë ndryshon nga situata e tanishme.

“Presidenti Thaçi duhet ta ketë parasysh se po bëhet fjalë për kontekste të ndryshme kohore dhe Presidenti Rugova dihet se çfarë ka bërë për këtë vend, ajo çfarë është e rëndësishme është se ne po flasim për kohën kur ne kemi institucionet tona demokratike të zgjedhura, ne kemi shtetin tonë le t’i kryejnë punët secili në bazë të kompetencave, kjo është qenësore”, është shprehur Beqiri.

Sipas tij, ajo çfarë po bën Thaçi duke u ‘fshehur’ prapa deklaratave të mëhershme është paralajmërim se diçka jo e mirë do të ndodh për Kosovën, ndërkohë ka mohuar se LDK do të bëjë kompromise me ekipin e dialogut.

“ Nuk mund sot të fshihet askush prapa deklaratave të ndryshme të kohëve të më hershme apo kohës së tashme, kjo është edhe njëfarë paralajmërimi se diçka jo e mire do të ndodhë për vendin tonë kur ai thotë gjëra të tilla, e aq më tepër kur jep deklarata se do të bëjmë kompromise. Ne nuk do të bëjmë kompromise në dëm të vendit tonë”.

Tutje, Beqiri ka thënë se nga dialogu pritet vetëm marrëveshje por jo edhe ndryshime në statusin e Kosovës. Ai ka shtuar se LDK si opozitë do të përcjell çdo zhvillim në dialog që nuk është në interes të Kosovës nuk do të lejojë të kaloj nga kuvendi.

“Ne nuk mund ta pengojmë Thaçin të shkojë në dialog por do të pengojmë çfarëdo marrëveshje eventuale që ai mund të bëjë dhe që nuk është në interes të Kosovës”, ka theksuar nënkryetari i LDK-së.

Sipas Beqirit, Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit pasi ka humbur besueshmëria ndaj tij.

Ndërkohë, sa i përket asaj se çka pret LDK nga rrjedhat e dialogut, Beqiri ka thënë se shpresë e tyre është ndihma nga miqtë ndërkombëtar si SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“ Ne mbajmë të njëjtin qëndrim, besimi ynë i plotë është se do të na ndihmojnë dhe do të na përkrahin miqtë tanë krye me SHBA. Nëse dikujt do t’i besojë LDK edhe i beson janë SHBA-të dhe shtete e fuqishme te Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Beqiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme