Selimi: Hashim Thaçi duke e mbrojtur projektin e dialogut po i mbron interesat e Serbisë

19:22 | 19 Qershor 2018
M. A.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se Hashim Thaçi nuk është njeriu i duhur për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në bisedimet me Serbinë, pasi ai nuk mbron interesat e Kosovës.

Në një prononcim për Periskopin, Selimi thotë se vendimi i tij për t’u takuar në Bruksel me Vuçiqin, pa marrë miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, tregon një nënçmim që Thaçi iu bën qytetarëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“ Ai tashmë edhe injoron deri në nënçmim qytetarët dhe përfaqësuesit e qytetarëve. Ka kohë që Kosova nuk po bisedon me Serbinë, madje bisedimet nuk janë as në relacionin Kosovë-Serbi, e as Prishtinë-Beograd, ka kohë që bisedimet janë Thaçi-Vuçiq”, ka thënë Selimi për Periskopin.

Selimi thotë se tashmë Thaçi po flet në emër të vetin me Serbinë, duke nxjerrë jashtë loje Kuvendin dhe qytetarin e Kosovës.

“Ky njeri tashmë me arrogancën e tij e ka nxjerrë jashtë loje Kuvendin e Kosovës, qytetarin e Kosovë, dhe po flet për interesin e qytetarëve të Kosovës vetëm në emrin e vet, po vendos vet, dhe gjithsesi po vendos në favor të interesat të qytetarëve”, ka shtuar ai.

I pyetur për marrëveshjet që mund të dalin nga këto bisedime të Thaçit në Bruksel, Selimi ka thënë se ato do të jenë të dhimbshme vetëm për Kosovën, pasi i gjithë dialogu është projekt që mbron interesat e Serbisë.

“Normalisht këto marrëveshje do të jenë të dhimbshme vetëm për Kosovën, sepse krejt dialogu është projekt i Serbisë, si tillë është interes i Serbisë, dhe ky duke e mbrojtur projektin e dialogut po i mbron edhe interesat e Serbisë”, është shprehur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje për Periskopin.

Selimi thotë se gjithë këto bisedime kanë për qëllim luftimin e pavarësisë së Kosovës. “Serbia do të përfitojë gjithsesi më shumë se sa ka Kosova tash. Këto bisedime dihet që e kanë zanafillën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe si të tilla nuk janë ndërtuar për ta avancuar pavarësinë e Kosovës, por për ta bërë të kundërtën, dhe këtu përfiton Serbia”, ka thënë ai.

Sipas tij, Thaçi nuk do të duhej që fare ta përfaqësonte Kosovën në bisedimet me Serbinë, pasi ai nuk mbron interesat e vendit. “Nuk kemi cka të ndajmë me Serbinë, me tan a ka ndarë e kaluara dhe nuk do duhej që fare të ishim në këto bisedime, dhe aq më pak Kosovën në këto bisedime nuk do të duhej ta përfaqësonte Kosovën. ai që nuk mbron interesat e Kosovës”, ka përfunduar Selimi.

Zyra e Federica Mogherinit e konfirmuar se të dielën në Bruksel do të takohen Thaçi e Vuçiq.

“Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, do të jetë nikoqire e takimit mes Thaçit dhe Vucçqit, më 24 qershor 2018”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme