Gjyzepina nuk e ndan vështrimin nga piktori që prej dy orësh qëndron me një penel në dorë dhe hedh në telajo portretin e saj. Sytë e saj janë të zinj, ndërsa ca rrudha të lehta në fytyrë i kujtonin mjeshtrit se ajo i kishte kaluar të ‘40-at. Përtej ngjyrave që u jep veshjes karakteristike të kësaj gruaje shkodrane, Kol Idromeno vizaton plot kujdes lehtë qafën e saj, lëkura e së cilës shkëlqen prej dritës. Ka qenë viti 1920 kur piktori i njohur, Kol Idromeno, hodhi në tablo portretin e dashur të kësaj gruaje, që sot përbën një nga pikturat që tregojnë fillesat e pikturës shqiptare që ruhen në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve.
Pas 93 vitesh, buzëqeshja e saj vijon të jetë e njëjtë, ndërsa vështrimi duket se fsheh të njëjtën ndjesi që Kol Idromeno u mundua gjatë ta gjente teksa pikturonte. Vitet nuk e kanë tradhtuar sekretin e bukur të Gjyzepinës. Ndryshe nga Idromeno, i cili tërhiqej prej personazheve që mbartnin një tis misteri, Simon Rrota në pikturat e tij kërkon të sjellë një reflektim të realitetit. I tërhequr prej femrës, ai e sjell në pikturat e realizuara në vitet 1934, teksa e veshur me veshje karakteristike të zonës, ndodhet bri grurit dhe lulëkuqeve. Kjo grua nuk ka kohë të mendojë për të fshehtat që mbart, ajo është e gjitha e shqetësuar për grurin në arë, nga duhet t’ia nis punën… Në një tjetër tablo të realizuar po atë vit, Simon Rrota sjell një kompozim interesant të grave në pusin e fshatit, ku ngjyrat e rrobave që ato mbajnë në trup nxjerrin në pah elementin femëror.
Një portret malësoreje pikturuar prej Rrotës më 1923, nuk e fsheh as moshën e piktorit, i cili duhet të ketë qenë 33 vjeç teksa kërkonte t’i jepte jetë vajzës që dilte prej maleve. Ajo shfaqet elegante, me duart e vendosura në brez dhe ca vathë që i varen poshtë shamisë. Një pikturë ku nuk mungojnë elementët jetësorë të sinjifikuar me gruan si uji apo dielli.
Pikturat e realizuara prej Kol Idromenos, Simon Rrotës janë dhe pikturat që shënojnë fillesat e artit të pikturës në Shqipëri, art i cili deri në ato kohë është realizuar në mënyrë sporadike nga anonimë.
Në fondin e Galerisë së Arteve veprat që ruhen datojnë nga fundi i shekullit XIX, periudhë që shënon fillesat e pikturës jofetare shqiptare. Autori i hershëm i pikturës është Kol Idromeno, vepra e të cilit “Motra Tonë” daton në vitin 1883. Pikturat e para në Shqipëri manifestojnë një lloj amatorizmi. Kjo lloj fryme vazhdon deri në vitet 1930 kur fillon përpjekja për ngritjen e shkollës dhe institucioneve të artit në vend. Gjithsesi, këto piktura flasin qartë për atmosferën kulturore në Shqipërinë e fillimviteve të shekullit XX, si dhe përbëjnë dokumente të mirëfilltë atnografikë dhe historikë të periudhës. Këto vepra tregojnë dhe një lloj fryme romantike.
Autorët e tjerë të epokës janë Pjetër Marubi, Simon Rrota, Zef Kolombi, Spiro Xega etj. Hapja e shkollës së vizatimit në Tiranë në vitin 1931 do të sjellë dhe një ndryshim në konceptin e pikturës në vend, duke e kthyer atë në një pikturë realiste. Disa nga piktorët e parë që studiojnë aty janë Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Gani Strazimiri etj., megjithatë pak vepra të tyre nga periudha e kësaj shkolle ruhen në fondin e Galerisë së Arteve.
Piktura realiste do të zhvillohet dhe nga piktorë që kthehen nga studimet në vendet fqinje, si: Odhise Paskali, Andrea Kushi, Vangjush Moi, Janaq Paço, Foto Stamo, Motrat Zengo etj. Këta artistë përbëjnë brezin e artistëve të shkolluar të cilët përpiqen të zhvillojnë portretin, natyrën e qetë, peizazhin etj. Karakteristikë e veprave të kësaj periudhe që ruhen në GKA është përpjekja e artistëve për të përvetësuar teknikat artistike dhe një interes për pasqyrimin e realitetit me vërtetësi.
Nëse shohim veprat e realizuara në këtë periudhë ato janë kryesisht portrete. Vangjush Moi, realizon me kujdes në vitin 1919 portretin e një vajze duke studiuar. I ardhur nga shkolla italiane e artit, Mio e bën fustanin e saj të hapur duke i nxjerrë në pah supet. Andrea Kushi më 1939 vizaton me kujdes gërshetat e gjatë të një vajze e cila ka veshur një bluzë të bardhë.
Gratë e pikturuara nga Zef Kolombi janë të trishtuara në këtë periudhë. Po kështu dhe malësorja e Nexhmedin Zajmit (1947). Në këtë periudhë kemi dhe lëvrimin e artit të pikturës edhe nga artiste femra si Sofia Papadhimitri. Ndërsa endemi në koleksionin e veprave të ruajtura në GKA kalojmë në një tjetër periudhë, e cila është ajo e pikturave akademike ku dominon tabloja me temë historike (1950-1986). Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist, në Shqipëri filloi të zhvillohej tabloja me temë historiko-politike.
Kryesisht vendin më të madh në këto tablo e zë lufta antifashiste dhe ndryshimet historike në vend, por në të njëjtën kohë trajtohen dhe aspekte të ndryshme të historisë së Shqipërisë si ai i qëndresës së Skënderbeut etj. Por pavarësisht kësaj periudhe, Sali Shijaku më vitin 1961 pikturon një femër nudo të shtrirë në shtrat dhe trupin që i reflektohet në pasqyrë. Artistët kryesorë janë ata që kanë mbaruar akademitë perëndimore dhe reflektojnë një formim akademik në pikturën e tyre si: Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Abdullah Cangolli etj., ndërkohë që artistë të tjerë që formohen në Akademinë e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të lindjes janë: Sali Shijaku, Fatmir Haxhiu, Vilson Kilica etj.
Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986) “Aksionistja” me autor Hasan Nallbanin, ku shfaqet portreti i një gruaje me flokët e prera shkurt, veshur me një bluzë të thjeshtë, pantallona dhe një shall të lidhur në qafë, teksa mban një sëpatë mbi supe, të tregon se tashmë ke mbërritur një moment nga më interesantët dhe më të diskutueshmit në historinë e artit pamor në Shqipëri, ai i artit të Realizmit Socialist. Pak më tej “Brigadierja” e Spiro Kristos (1976) ka ndaluar diku mes arës ku po punohet dhe mban një bllok shënimesh në dorë… “Montatori” i Petro Kokushtës më 1979 valëvit flamurin në një moment pune…
Me kthimin e artistëve nga shkollat lindore të artit mund të thuhet se fillon epoka e Realizmit Socialist në artin shqiptar. Ky art është kryesisht në funksion të propagandës së regjimit politik në vend. Sipas klisheve të gatshme të importuara nga vendi i origjinës Bashkimi Sovjetik, arti fokusohet te punëtorët dhe veprimtaria e tyre, duke i kthyer këta në mite të kohës. Në fakt, Realizmi Socialist nuk përpiqet të tregojë me vërtetësi aspekte të realitetit të klasës punëtore, por të ngrejë një lloj kulti të punës socialiste si veprimtari dhe të punëtorit si personazh qendror të “një epoke të re” që ka filluar.
Artistët që kanë lënë vepra të spikatura në këtë drejtim janë Muntaz Dhrami, Zef Shoshi, Çlirim Peka etj. Një tjetër koleksion i rëndësishëm në Galerinë e Arteve është dhe ai i Pikturës Formaliste që gjen vend në historinë e pikturës shqiptare në fillim të viteve ‘70-të. Kjo pikturë krejtësisht nën ndikimin e pikturës moderniste perëndimore përpiqet të gjallojë duke respektuar temat zyrtare të Realizmit Socialist, që janë më së shumti ato të punëtorit në frontin e punës, por që me mënyrën e të pikturuarit në fakt kërkon drejt një zhvillimi piktoresk dhe ka tendencën për t’iu përqasur rrymave të ekspresionizmit, fovizmit, kubizmit etj. Artistët kryesorë që kanë vepra të kësaj natyre në fondin e GKA-së janë: Edison Gjergjo, Alush Shima, Isuf Sulovari, Eduard Hila, Bajram Mata etj. Në një moment pune, në vitin 1970 Jorgji Gjokopulli sjell një grup të rinjsh të veshur plot ngjyra. “Mjelësja” e Isuf Sulovarit, duket e lumtur teksa pozon me kovën e qumështit në dorë. “Një emancipim” i gruas në pikturë duket dhe në një tablo të Llambi Blidos më 1971, me titull “Në pultin e komandimit”. Koleksioni i fundit që ruhet në Galeri, është ai i pikturave dhe skulpturave moderniste (1989-2001).
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...